Në Firence dhe Romë ngrenë më shumë zërin: "Ky njeri nuk mund të përfaqësojë Italinë në Afrikën e Jugut. Të shmangim një tjetër skandal".
I tronditur nga polemikat post Fiorentina-Milan dhe në rrezik - për motive të ndryshme - për sa i përket ndeshjeve të rëndësishme që ka mbajtur në këtë fund kampionati (tani, në fakt, pas Romës, është akuzuar edhe nga Fiorentina), Roberto Rozeti mund të ngushëllohet duke menduar se është i vetmi gjyqtar italian që do të përfaqësojë vendin e tij në Botërorin e ardhshëm. Por, edhe në atë front kanë nisur dyshimet mbi bilbilin 42-vjeçar. E përditshmja "Corriere di Firenze" është bërë zëdhënëse e indinjimit dhe tërbimit të gjithë qytetit, duke propozuar në faqet e saj një peticion për ta penguar Rozetin që të udhëtojë në Afrikën e Jugut, duke shmangur dëmet që ai mund të bëjë. Në këtë të përditshme, në fakt, është i pranishëm një pusullë që duhet firmosur dhe dërguar redaksisë: "Nuk duhet të dërgojmë Rozetin në Botëror, sepse një gjyqtar si ai nuk mund të përfaqësojë Italinë në Afrikën e Jugut. Firmos te kjo gazetë për të ndalur skandale të reja". Pra, mesa duket, do të jenë muaj të vështirë këto për Rozetin, i cili madje mund të pezullohet për një javë, duke u lënë i qetë të reflektojë mbi gabimet. Fiorentina ka ngritur zërin, ashtu si ka bërë edhe Roma dikur. Pra, nuk ka dy pa tre. Në rast të një tjetër skandali, apo vendimesh të gabuara, Rozeti do të paguante dhe shumë madje. Në vend të tij, gati për të shkuar në Botëror, është Ricoli.