Futboll

Futboll
mourinho
  • Lexuar 841

A është i mërzitshëm futbolli i Mourinhos?

Barazim pa gola me Arsenalin me një fund takimi, ku Chelsea u fërshëllye nga tifozët e topçinjve me thirrjet se ishte i mërzitshëm. Por a është vërtet i mërzitshëm futbolli i Jose Mourinhos? Me gjuhën e tij thumbuese, portugezi pas ndeshjes u përgjigj se të qëndrosh 10 vjet pa titull, kjo po që është e mërzitshme, ndërkohë që nga ana tjetër John Terry festonte a thua se Chelsea fitoi kampionatin. Për të gjykuar lojën e The Special One, shifrat vlejnë më shumë se fjalët dhe në fund gjithsecili mund t’i nxjerrë vetë konkluzionet. Në dy sezonet e para te Chelsea, siç tregon edhe tabela, skuadra e Mourinhos ka shënuar mesatarisht më shumë se 4 ekipet e tjera kryesuese dhe po kështu ka pësuar edhe më pak gola. Gjithashtu te Interi, ku portugezi u bë i njohur për parkimin e autobusit, ekipi i tij ka një mesatare golash të shënuar më të lartë, ndërsa ka pësuar më pak se 4 ndjekësit më të afërt. Te Reali i Madridit, me një makineri golash si Cristiano Ronaldo në dispozicion, pa dyshim që edhe këtu rendimenti është më i lartë se rivalët, me përjashtim të sezonit të fundit, ku Los Blancos kanë pësuar më shumë gola se mesatarja e kundërshtarëve. Kthehemi sërish te Chelsea i ditëve të sotme dhe sërish shifrat flasin në favor të Jose Mourinhos. Si përfundim del që tifozët e Arsenalit janë treguar të padrejtë që e quajnë të mërzitshëm Chelsean e The Special One ose arsyeja mund të jetë një tjetër. Ndoshta Mourinho është një trajner me fat sepse kudo që shkon ka në dispozicion skuadra që shënojnë më shumë e pësojnë më pak.

Shpernda artikullin

Nga Franca, të sigurtë: Cavani ikën nga PSG

Artikulli Pas »

Interi, këmbëngul për Paulo Dybala