Futboll

Futboll
odion-ighalo-watford_3430649
  • Lexuar 681

Arsenali eliminohet nga FA Cup, barazim për Man. United

8 pikë nga vendi i parë në klasifikimin e Premier League, një humbje e rëndë në ndeshjen e parë të 1/8-ave në Champions League ndaj Barcelonës dhe eliminimi nga FA Cup, për Arsenalin ky është një moment shumë negativ pasi me shumë mundësi sezoni është mbyllur përpara kohe. “Topçinjtë” marrin një tjetër goditje duke humbur mundësinë për të fituar trofeun e parë sezonal pasi u eliminuan në çerekfinalen e FA Cup. Skuadra e Arsene Wenger zhgënjeu në “Emirates Stadium” përballë Watford ku u mund me rezultatin 2-1, duke i dhënë lamtumirën këtij kompeticioni. Pas një pjese të parë pa shumë raste dhe me të dyja skuadrat të kujdeshme për të mos pësuar, ishte Odion Ighalo ai që zhbllokoi sfidën në minutën e 50.

Pas 599 minutash shterpësi, sulmuesi nigerian arriti të zhbllokohej duke e komplikuar situatën për skuadrën londineze që nuk arriti të reagonte. 13 minuta më pas, Adlene Guedioura u tregua i pamëshirshëm me një goditje të saktë që vulosi fatin e takimit. Ishte Danny Welbeck ai që ngushtoi diferencën 2 minuta nga fundi, madje sulmuesi i Arsenalit humbi një tjetër mundësi të artë në kohën shtesë, duke mos arritur ta shtynte topin në rrjetë. Në këtë mënyrë, Arsenali largohet nga kompeticioni me humbjen e tretë rresht në shtëpi. Një gjë e tillë nuk ndodhte për “Topçinjtë” që prej vitit 2006 në “Highbury”, çka reflekton momentin e keq të skuadrës së Wenger.

Në përballjen tjetër të luajtur në “Old Trafford” mes Manchester United dhe West Ham, çështja e kualifikimit u shty. “Djajtë e Kuq” u ndalën në barazim 1-1 përballë “Çekanëve” londinezë. Pajet ndezi sfidën në minutën e 68 me një gol që tronditi skuadrën e Van Gaal. Vendasit nuk u pajtuan me këtë rezultat duke u hedhur në sulm në kërkim të golit të barazimit që e gjetën vetëm në minutën e 83 me anë të Anthony Martial.  Në këtë mënyrë, çështja e kualifikimit në gjysmëfinalen e FA Cup do të vendoset në sfidën e kthimit.

Shpernda artikullin

Volejboll për femra, Marin Barleti fiton K. Shqipërisë

Artikulli Pas »

Roma me hap Champions-i, ndalet Fiorentina