Faza dytë e Kategorisë Superiore nis me konfirmimin se deri në fund do të kemi një kampionat të hapur dhe krejtësisht të paparashikueshëm.

Faza dytë e Kategorisë Superiore nis me konfirmimin se deri në fund do të kemi një kampionat të hapur dhe krejtësisht të paparashikueshëm. Skënderbeu dhe Teuta ndalen në barazim në transfertë, Partizani dhe Flamurtari vijojnë ngjitjen ndërsa konfirmohet kriza e 24 herë kampionëve si dhe rënia në rezultate e Vllaznisë. Kampionët e vendit i falen kapitenit të tyre Bledi Shkëmbi që në fundin e takimit falë një ekzekutimi perfekt të një goditjeje dënimi barazon sfidën ndaj Besës duke marë dhe një pikë të çmuar. Me lojën e treguar por dhe pikën e marë, kavajasit tregojnë se mbijetesa nuk është një mision i pamundur. Ritmin e korçarëve e ruan Teuta, që gjithsesi merr një pikë në Ballsh aty ku Skënderbeu kapitulloi një javë më parë. Debutimi i Sorrentinos erdhi me një pikë në një fushë të vështirë dhe për më tepër me dy gola të realizuar.

Në “Qemal Stafën” e akullt Partizanit i mjafton një penallti e kthyer në gol nga Malo për të marrë tre pikët ndaj Kastriotit. Një sukses që çon të kuqtë në vendin e tretë me pikë të barabarta me Teutën, ndërsa Kastrioti fundoset gjithnjë e më shumë. Në Laç vendasit thellojnë krizën e bardhebluve të kryeqytetit, me një fitore minimale që çon kurbinasit në vendin e 4 vetëm një pikë larg dyshes Teuta-Partizani. Për 24 herë kampionët dalja nga kolapsi duket i pamundur dhe në këto momente sheh pranë kategorinë e parë dhe mundësinë e derbit me Dinamon sezonin e ardhshëm. Pa shumë bujë Kukësi i rikthehet pretendimeve, ku trepikëshi i radhës vjen me vuajtje dhe një gol të vetëm të realizuar nga mbrojtësi Smajli.

Tashmë titulli nuk është utopi kur mjafton të mendosh që kreu është vetëm pesë pikë larg dhe përballja me Skënderbeun vjen pas dy javësh. Ndeshja më e shumëpritur e javës Flamurtari – Vllaznia nuk zhgënjen, pasi skuadrat dhurojnë spektakël në një terren të rënduar, rezultati i të cilës shkon në favor të vlonjatëve. Suksesi 3-1 bën që të arrihen shkodranët në renditje, dhe nëse do të ishin dhe tre pikët e hequra nga komisioni i disiplinës, atëhere kuqezinjtë do të renditeshin të dytët pas Skënderbeut me objektivin për të fituar titullin.