Kabashi, “mollë sherri” në Itali

Adi Metaliu

Përditësuar: 20 Qershor, 2012

Kabashi, “mollë sherri” në Itali

Një nga futbollistët më premtues shqiptarë, Elvis Kabashi, është bërë bërë “mollë sherri” mes Empolit dhe Juventusit. Në disa media elektronike sot u njoftua se klubi bardhezi bleu kartonin e mesfushorit 18-vjecar, duke paguar 1.8 milionë euro, por lajmi u përgënjeshtura menjëherë nga Empoli në një qëndrim zyrtar, ku mohohet të jetë arritur marrëveshja.

Në fakt Kabashi është vënë prej një viti në shënjestrën e bardhezinjve, madje vetë futbollisti pat deklaruar se dëshira e tij e madhe ishte të luante me gjigantët italianë. 18-vjercari ra  në sy të Marko Barones, trajnerit të të rinjve të Juventusit, i cili ka këmbëngulur për blerjen e shqiptarit, por me sa duket dy klubet italiane po luajnë si macja me miun, për të përfituar sa më shumë nga kartoni talentit shqiptar.

Elvis Kabashi pak muaj më parë u grumbullua nga Foto Strakosha me përfaqësuesen U-19, ndërsa ndeshja e parë si kuqezi ishte miqësorja me Bosnjë Hercegoninën, që Shqipëria e fitoi 3-1 edhe falë një goli spektakolar të 18-vjecarit. Kabashi do të jetë një nga pikat më të forta të Shqipërisë U-19 në eliminatoret e Europianit, që do të zhvillohen në datat 12 deri 17 tetor në vendin tonë. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në të njëjtin grup me Bjellorusinë, Belgjikën dhe Italinë.