Futboll

Futboll
7A0A5566-750x350
  • Lexuar 190

Fejzullahi: Ndaj Teutës për fitore

7 finale për të realizuar ëndrrën e madhe, rikthimin e titullit kampion në shtëpinë e kuqe. Partizani para fazës vendimtare të sezonit, në radhë janë Teuta, derbi me Tiranën dhe pastaj përballja e drejtëpërdrejtë me Kukësin. Për Arbnor Fejzullahi-n, deri atëherë ka ende kohë, në kampin e kuq nuk mund ta kenë mendjen te përballja me verilindorët, fokusi dhe energjitë janë të gjitha te sfida e radhës me Teutën.

“Me Teutën është një ndeshje e vështirë, duke patur parasysh edhe pozitat që bregdetarët kanë në renditje. Jo vetëm me Kukësin por çdo ndeshje duhet vlerësuar nga ne duke filluar nga takimi i radhës ndaj Teutës, duhet të jemi të përqendruar maksimalisht për të kaluar pozitivisht 2 ndeshjet e radhës që në përballjen me Kukësin të synojmë vendin e parë.”

Partizani vjen pas një barazimi në Shkodër, i njëjti rezultat ndaj Teutës do të ishte një penalizim, sa për humbjen, është një fjalë që Fejzullahi as nuk mund ta përmendë.

Përpara si një grup i vetëm, lojtarë e tifozë, te Partizani kontribuojnë të gjithë, e madje nuk mund të bëjë përjashtim duke u trajtuar si i vecantë as një supertalent si Ekuban.

“Në skuadër ka mjaft lojtarë cilësorë , sigurisht Ekuban është golashënuesi ynë kryesor , por te Partizani ka edhe lojtarë të tjerë të cilët mund të shënojnë dhe të zgjidhin ndeshje Gjithsesi shpresoj që të triumfojmë ne pasi luajmë në shtëpi dhe kemi mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, të cilët janë një forcë e madhe për ne në shkallët e stadiumit.”

Fejzullahi nuk bën dallim mes rivalëve, Kukësit e Skënderbeut, atij i intereson Partizani, madje deri aty sa të mos mendojë për sirenat e merkatos. Sigurimi i titullit do të ishte një hap i madh edhe në këtë aspekt.

“Për momentin mendoj vetëm për Partizanin jam i përqëndruar të realizojmë objektivin final të shpallemi kampion. Fitimi i titullit do të ishte një vlerë e shtuar në karrierë jo vetëm për mua por për çdo lojtar të Partizanit. E theksoj për momentin jam i përqëndruar vetëm te Partizani.”

Shpernda artikullin

Derbi i Madridit në gjysmëfinale, Juve luan me Monaco

Artikulli Pas »

Marcelo: Ndaj Barcës shfrytëzojmë momentin