Futboll

Futboll
FLAMURTARI-658x370
  • Lexuar 171

Flamurtari-Vllaznia, beteja për objektiva të ndryshëm

Flamurtari-Vllaznia një sfidë mes dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, që luhet për objektiva të ndryshëm. E sigurtë është që në Vlorë këtë të Shtunë do të luhet një sfidë e nxehtë pasi kuqezinjtë kërkojnë pikët e mbijetesës ndërsa shkodranët synojë vazhdimësinë për të hedhur një tjetër hap të madh përpara në garën për vendin e 4-t, që në rast të fitores së Kupës së Shqipërisë nga Skënderbeu do ta kualifikonte në Europa League, Vllazninë. Të dyja skuadrat po kalojnë një moment pozitiv sepse te Flamurtari pavarsisht problematikave jashtë fushe, fitorja ndaj Luftëtarit në transfertë ka rikthyer optimizmin dhe mbi të gjitha qetësinë. Vllaznia në krahun tjetër ka grumbulluar 10 pikë në 6 javët e fundit të kampionatit, teksa me 2 fitore dhe 4 barazime është ngjitur në kuotën e 37 pikëve duke lënë pas në renditje Luftëtarin. Kuqeblutë në 2 javët e fundit kanë luajtur me fatet e titullit kampion sepse fillimisht ndalën në një barazim pa gola, Kukësin në Zeqir Ymeri dhe më pas Partizanin në një tjetër barazim këtë herë me shifrat 1-1 në Loro Borici. Në Vlorë sfida do të luhet pa tifozë pasi Flamurtari është dënuar nga komisioni i Disiplinës, ndërsa një tjetër risi është që kjo sfidë do të drejtohet nga gjyqtarë nga Luksemburgu, në sajë të bashkëpunimit të federatës shqiptare të futbollit me ata të Luksemburgut për shkëmbim arbitrash. Për Flamurtarin është hera e dytë në këtë sezon që gjykohet nga gjyqtarë të huaj sepse edhe ndaj Tiranës në kryeqytet ishin arbitrat nga Malta që vendosën drejtësi. Vlonjatët të cilët do të kërkojnë një tjetër fitore për tiu larguar zonës së rënies nga kategoria do të kenë një mungesë shumë të rëndësishme në këtë sfidë, pasi për arsye kartonësh do të mungojë lojtari i momentit, Donjet Shkodra. Marrja e tre pikëve do të jetë një mision i vështirë për skuadrën e Duros, nëse marrim parasysh faktin që Vllaznisë në këtë ndeshje i kthehet nga pezullimi 1-javor, sulmuesi kryesor Elis Bakaj, ndërkohë që shkodranët jo vetëm që kanë 6 ndeshje pa pësuar humbje por mund të konsiderohen pa frikë edhe si macja e zezë e Flamurtarit në këtë sezon, pasi skuadra e Cungut u ka marrë 9 pikë kuqezinjëve duke i mundur 3 herë.

Shpernda artikullin

Skënderbeu nuk e njeh “frikën” e fushës në Lac

Artikulli Pas »

Gjoka përgatit “tiki-taka” ndaj Tiranës