Futboll

Futboll
maxresdefault
  • Lexuar 582

Flamurtari-Vllaznia, sfida që hap javën 12-te

Java e 12-të e Kategorisë Superiore është gati të ngrejë siparin me një sfidë shumë interesante. Në orën 18:00 të kësaj të Premteje në Vlorë do të luhet, Flamurtari-Vllaznia. Përballë njëra-tjetrës do të jenë skuadra të mëdha të futbollit shqiptar por që në këto vitet e fundit kanë humbur shumë nga shkëlqimi i tyre. Flamurtari ka arritur të zgjidhë në një farë mënyre disa nga problemet e shumta financiare duke i shpëtuar rënies nga kategoria dhe nëse nuk do të ishte për 6 pikë që i janë hequr nga komisioni i disiplinës, skuadra vlonjate aktualisht do të kishte një pikë më shumë se kuqeblutë e Armando Cungut. Megjithatë realiteti është ndryshe dhe 3 pikët për Flamurtarin në sfidën ndaj Vllaznisë janë të domosdoshme për tiu larguar disi fundit të klasifikimit. Në këto vitet e fundit sfidat mes kuqezinjëve dhe shkodranëve janë fituar gjithmonë nga ekipi që ka luajtur në shtëpi dhe faktori fushë mund ti ndihmojë të besuarit e Gentian Mezanit për të marrë një tjetër fitore ndaj Vllaznisë.

Në fazën e parë në Shkodër ndeshja u mbyll me suksesin 2-0 të Vllaznisë por edhe pse mbrojtja është pika e fortë e tyre kuqeblutë vazhdojnë të calojnë në sulm pasi e kanë shumë të vështirë të arrinë te goli. Shkodranët në Vlorë do të ishin të kënaqur edhe me një pikë duke patur parasysh edhe faktin që Vllaznia i ka humbur 9 nga 10 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar në qytetin bregdetar ndaj Flamurtarit në kampionat. Këtë sezon në transfertë skuadra e Cungut është mundur vetëm nga Kukësi teksa regjistron edhe 4 barazime. Flamurtari ndërkohë në shtëpi gjatë këtij kampionati numëron 3 fitore dhe 2 barazime duke mos njohur humbje për më tepër që ka arritur të mposhtë me rezultatin e pastër 2-0 edhe kampionët e Skënderbeut. Të dyja skuadrat janë të plota për këtë takim. Te vlonjatët rikthehet nga pezullimi 1-javor Radovic ndërsa janë riaftësuar nga dëmtimet, Ilir Berisha dhe Astrit Fazlliu. Mungesa e vetme është Tomislav Bushic i cili është larguar përfundimisht nga Flamurtari. Ndryshe nga Genatian Mezani që ka ende disa pikëpyetje në lidhje me formacionin , në krahun tjetër Armando Cungu e ka përcaktuar 11-shen titullare me të cilën do të zbresë në fushë Vllaznia ndaj vlonjatëve. Cicmil dhe Krymi janë sërish të gatshëm, ndërsa rikthehet nga skualifikimi 1-javor për shkak kartonësh edhe mesfushori Florind Bardulla. Cicmil do të marrë vendin e tij në qëndër të prapavijës përkrah, Bicajt, ndërsa në mesfushë në mbështetje të Shtubinës që do të jetë i vetëm përpara do të rreshtohen, Cinari-Tafili-Bardulla-Krymi e Kalaja.

Shpernda artikullin

Bale do operohet, mungon 2-3 muaj

Artikulli Pas »

Eto’o, rrezikon 10 vjet burg