Futboll

Futboll
haxhia
  • Lexuar 539

Haxhia: Partizani e mbyll sezonin në vend të parë

Partizani mbylli një vit të ngjeshur futbollistik. Fillimisht pjesëmarrja në kupat europiane dhe më pas sezoni i ri futbllistik në Kategorinë Superiore. Në klubin e kuq është koha për të bërë llogaritë dhe janë drejtuesit ata që gjatë ditëve të fundit të vitit 2016 mund të flasin me siguri për pritshmëritë dhe të ardhmen. Drejtori Sportiv, Edmond Haxhia bën një analizë të ecurisë së skuadrës gjatë dy fazave të para, por ai shkon edhe më tej duke u ndalur fillimisht te ndeshjet në arenën ndërkombëtare.

“Skuadra riformatohet për të realizuar objetivat e sezonit. Në Europë kemi pasur një ecuri pozitive. E kemi pritur që të jemi në vendet e para të klasifikimit. Kemi bërë më të mirën e mundshme gjatë dy fazave por me pak kujdes mund të kishim marrë më shumë pikë, veçanërisht me Tiranën dhe Kukësin por shumë shpejt do ta shikoni Partizanin në vend të parë”.

Haxhia thekson se ky sezon është më i luftuar dhe shton se beson që rivaliteti do të jetë i madh deri në fund të sezonit mes 4 skuadrave, duke përfshirë në këtë garë edhe Tiranën. Në vijim, ai vuri theksin te ecuria pozitive që skuadra ka pasur nën drejtimin e Sulejman Starovës, duke e pranuar se ndryshimi mes filozofisë së dy trajnerëve ka ndikuar edhe në ecurinë sezonale.

“Përveç humbjes në Kukës edhe Sormani ka bërë detyrën e vet shumë mirë. Në kupat e Europës u përfaqësuam mirë por për arsye ambjentimi, Starova e njeh shumë mirë kampionatin dhe është njeriu i duhur për ta shpallur Partizanin kampion”.

Partizani është skuadra me mbrojtjen më të mirë gjatë dy fazave të para, por Haxha preferon t’i ndajë meritat në mënyrë të barabartë.

“Nuk është vetëm mbrojtja dhe portieri sepse e gjithë skuadra lufton në grup. Jemi kompaktë si skuadër. Nuk mund të veçoj repartet”.

Për drejtorin sportiv, skuadra është e plotë dhe ka nevojë për ndryshime të vogla në merkato pasi Janari nuk të jep mundësi të bësh ndryshime të mëdha. Rikthimi i Mazrekajt pas dëmtimit të gjatë, për drejtorin sportiv është përforcimi më i rëndësishëm, por ai ndalet edhe te emrat e rinj dhe objetivat që klubi ka në këtë sesion merkatoje.

“Mazrekaj do të jetë blerja më e madhe e Partizanit nëse do të vijë në formën e tij optimale. Me të forcohet shumë linja e sulmit. Për t’i dhënë më të mirën skuadrës duhet të shënojmë dhe në po punojmë që trajneri të ketë sa më shumë sulmues në dispozicion. Kemi menduar të forcojmë skuadrën në sulm dhe këtë e bëmë me Boniface, ndërsa për Sukaj dihen vlerat dhe mendoj se do të na ndihmojë që të arrijmë te titulli”.

Të gjithë emra që vijnë nga jashtë, por Haxhia e pranon se edhe nga Katëgoria Superiore, në axhendën e tij ka veçuar disa emra.

“Bregu, Shkodra dhe Telushi janë emra që do ta përforconin shumë skuadrën për vitin e ardhshëm”.

Ndeshjet si pritës Partizani i ka luajtur në Elbasan, por Haxhia shpreson që Tirana të haë dyert e “Selman Stermasit” për vitin 2017 në mënyrë që të “Kuqtë” të luajnë në qytetin e tyre.

“Ndryshe është kur luan në Tiranë, ndryshe është kur luan në Elbasan. Urojmë që bashkia dhe presidenti i Tiranës të na japin të drejtën të luajmë në stadiumin e Tiranës. Shpresoj të merremi vesh”.

Në fund, drejtuesi i klubit kryeqytetas dëshiron të bëjë edhe një falënderim të veçantë për Supersport për kontributin që po je në futbollin shqiptar.

“Kam një mesazh për Supersport. E falënderoj për punën e bërë. Ju uroj gëzuar festat dhe vazhdoni në këtë rrugë”.

Shpernda artikullin

Neymar mendon ta mbyllë karrierën te Flamengo

Artikulli Pas »

Pastorello: Atalanta do ta blejë kartonin e Berishës