Futboll

Futboll
nimaga
  • Lexuar 215

Nimaga mungon në Kiev

Skënderbeu do të luajë pa një prej yjeve të skuadrës, në ndeshjen e parë të grupeve të Europa League, në fushën e Dinamos së Kievit. Bakari Nimaga do të jetë mungesa e vetme e korçarëve për sfidën e kësaj të enjteje në stadiumin “Olimpiyskiy”.

 

Shkak është bërë kartoni i kuq, me të cilin mesfushori nga Mali u ndëshkua në ndeshjen e kthimit në fazën play-off përballë Dinamos së Zagrebit. Për fazën e grupeve, UEFA i anulon të gjithë kartonët e verdhë të marrë gjatë sfidave kualifikuese, por ky rregull nuk aplikohet edhe për kartonët e kuq.

 

Gjatë rrugëtimit europian të korçarëve, në këtë sezon 22-vjeçari ka shënuar golin e barazimit në fushën e Kairatit, ndërsa më 5 Nëntor të vitit 2015 realizoi golin që vulosi triumfin historik 3-0 të Skënderbeut përballë Sportingut të Lisbonës. Nimaga vlerësohet si një prej xhevahirëve të skuadrës dhe mendohet se pas paraqitjeve në arenën ndërkombëtare klubi mund ta shesë për ofertën më të mirë financiare.

 

Në fushë nga minuta e parë për skuadrën e Ilir Dajës pritet të rikthehet Tefik Osmani, që fundjavën e kaluar mungoi në debutimin me fitoren 2-0 në kampionat përballë Flamurtarit, për shkak të pezullimit nga Komisioni i Displinës.

 

Balotazh do të ketë për zëvendësuesin e Nimagës, përkrah Lilajt në qendër të mesfushës, ndërsa Ali Soue do të jetë “asi nën mëngë” i trajnerit Daja, për të synuar surprizën në Kiev, pavarësisht se luhet përballë një prej gjigandëve të futbollit europian.

Shpernda artikullin

Man. United, dëmtohet Pogba. Mourinho: Kemi alternativa

Artikulli Pas »

Jarmolenko u largua, Dinamo e Kievit vlen 61 milionë euro