Connect with us

Hi, what are you looking for?

Angli

Liverpool, 2021-2022 do mbetet gjithmonë sezoni që mund të ishte “shpëtuar”

Mohamed Salah qëndronte me duart në supe, duke ngulur sytë në distancë. Misioni i tij i hakmarrjes ndaj Real Madrid sapo kishte dështuar.

Andy Robertson u ul në fushën e Stade de France me kokën ulur. Edhe pas një paraqitje monumentale Virgil Van Dijk i dëshpëruar qëndronte gati për të shpërthyer në lot. Ishte një imazh i dhimbshëm. The Reds respektuan kundërshtarët dhe panë Real Madridin duke ngritur Champions League numër 14.

Fill pas përfundimit të festës së lojtarëve madrilenë, futbollistët dhe stafi i Liverpool-it u futën menjëherë drejt dhomave të zhveshjes.

Jurgen Klopp theu heshtjen në dhomën e zhveshjes me një fjalim sfidues, por nuk shërbeu për të ngritur humorin që ishte përtokë.

“U thashë djemve se ndjej krenari, por pashë se isha i vetmi në atë moment”, tha Klopp. “Djemtë kanë nevojë për pak më shumë. Unë e kuptoj.”

Një sezon që dukej sikur mund t’ jepte gjithçka Liverpool-it, por që përfundoi në formën më zhgënjyese. Mbeti në tentativë ambicia për të ‘prekur qiellin e shtatë’, pra për të fituar Champions League-n e shtatë në histori të klubit, por edhe tripleta e kupave dështoi, që do të barazonte arritjen më të madhe në historinë e skuadrës.

Pasi humbën titullin e Premier League me diferencën më të vogël në të dielën që lamë pas, Liverpooli humbi një finale të Ligës së Kampionëve që me të vërtetë duhej ta kishte fituar. Dy goditje të rënda brenda një jave. Dy trofetë më prestigjozë iu rrëshqitën nga duart kur dukeshin më afër se kurrë.

Çfarë nate e mjerueshme për tifozët e Liverpool-it, të cilët më parë e kishin kthyer Parisin në një ‘’det të kuq’’ me praninë e jashtëzakonshme në kryeqytetin francez. Ata duhej të përballeshin me kaosin dhe rrezikun jashtë stadiumit, për shkak të dështimit të organizmit të UEFA-s dhe policisë franceze.

Triumfi në FA Cup dhe Carabao Cup nuk duhet nënvlerësuar aspak, por për The Reds duket si shpërblimi më minimal për një edicion të zhvilluar në nivelet më të larta.

The Reds nuk duhet të harrojnë se sa i veçantë ishte rrugëtimi vetëm sepse destinacioni përfundimtar nuk rezultoi të ishte ai që patën shpresuar. Përgjatë sezonit futbollistik Liverpool ka prodhuar momente të paharrueshme. Megjithatë, realiteti i hidhur është se librat e historisë do të tregojnë se Liverpool dështoi në fazën më të rëndësishme.

Ata u ndeshën me një Thibaut Courtois të ingranuar maksimalisht, i cili bëri pritje të fenomenale për të mohuar tentativat e Mo Salah dhe Sadio Mane.

Ata paguan çmimin e dështimit për të konkretizuar rastet e rrezikshme. Liverpool i mungonte mprehtësia dhe gjakftohtësia në të tretën e fundit të fushës së lojës dhe goditjet e tyre standarde, burimi i 26 golave këtë sezon, i zhgënjyen.

Do të ketë shumë keqardhje. Kaq shumë raste flagrante nuk u shfrytëzuan. Ndoshta ndeshja numër 63 e këtij edicioni sfilitës ishte e tepërt. Skuadra e Carlo Ancelottit sigurisht që kishte kohën e mjaftueshme në dispozicion për të përgatitur finale në mënyrën më komode të mundshme, pasi titullin e La Ligës e pati siguruar një muaj më parë.

Liverpool është ka pasur një ngarkesë të lartë fizike në javët e fundit. Asnjë ditë pushimi për ta. Kalendari ka qenë i ngjeshur dhe Salah, Van Dijk, Fabinho dhe Thiago vuajtën me problemet fizike.

“A është e mundur në ndeshjen numër 63 të sezonit të luash futbollin tënd më të mirë? Nuk e di, por pashë shumë gjëra të mira. Ekipi im ishte plot dëshirë, plot pasion; u përpoqëm shumë, por nuk e morëm shpërblimin”, tha Klopp.

Duke marrë parasysh që të besuarit e Klopp-it shënuan një rekord prej 147 golash për klubin në të gjitha kompeticionet këtë sezon, është një statistikë e çmendur që ata nuk arritën të shënonin një herë në tre finale të mëdha që zgjatën 330 minuta, duke pasur nevojë për penallti për të fituar si në Carabao Cup ashtu edhe në FA Cup.

Në këto tre ndeshje ata regjistruan 61 goditje, duke përfshirë 17 në kuadrat, dhe një shifër prej 5.7 për golat e pritshëm. Mo Salah nuk ruajti të njëjtin rendiment sportiv në pjesën e dytë të sezonit. Para largimit të tij në Janar për të luajtur në Kupën e Kombeve të Afrikës, egjiptiani kishte shënuar 23 herë në 26 paraqitjet e tij të para të sezonit për Liverpool.

Ai shënoi vetëm tetë herë në 25 ndeshje që nga kthimi i tij në Shkurt nga turneu, dhe tre prej tyre ishin penallti, por produktiviteti në pjesën e parë të sezonit ishte aq i lartë sa i mjaftoi që ta ndante Këpucën e Artë të Premier League me Heung Min-Son me 23 gola të shënuar.

Salah regjistroi gjashtë goditje në portë kundër Real Madridit – më shumë nga çdo lojtar në një finale të Champions League – por nuk mundi të kalonte Thibaut Courtois.

Mane rezultoi jashtëzakonisht i vlefshëm për Jurgen Klopp në pjesën e mbetur të edicionit futbollistik – me 13 nga 23 golat e tij për Liverpoolin në këtë sezon që erdhën që pas momentit kur 30-vjeçari udhëhoqi Senegalin në triumfin historik të Kupës së Kombeve në Afrikë – por, pas një starti impresionues në pjesën e parë në Paris, ndikimi i tij u zbeh në lojën e The Reds.

Diogo Jota, golashënuesi i tretë më i mirë i Liverpool-it, e mbylli sezonin e tij të dytë në klub me 21 gola, por vetëm katër prej tyre erdhën pas Shkurtit. Rënia e rendimentit përligjet sadopak për arsyen e vetme se minutazhi i Jotas u kufizua pas afrimit të Janarit, Luis Diaz, që zuri vendin e tij si titullar.

Do të ishte gabim t’i vihej faji vetëm Trent Alexander-Arnold-it në momentin e golit të vetëm në finale e Champions League, pasi Vinicius Junior u c’markua nga anglezi në shtyllën e dytë për të finalizuar me portën e boshatisur. Përtej gjithçkaje, mbrojtësi i djathtë ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon, me 18 asistime.

Problemet më të mëdha për Liverpoolin u lidhën me fillimin jo të mirë të pjesës së dytë dhe paniku që ata i shoqëroi në përpjekjen për të barazuar shifrat ndërsa Real Madrid provoi t’i jepte goditjen përfundimtare me anë të zbritjeve në kundërsulm.

Një shenjë pozitive në mbrëmjen e 28 Majit për Jurgen Klopp ishte performance solide e Ibrahima Konate në qytetin e tij të lindjes. Qendërmbrojtësi i ri, i cili mbushi vetëm 23 vjeç javën e kaluar, padyshim që e shpërbleu besimin e Klopp për ta zgjedhur atë përpara veteranit Joel Matip. Konate ka një të ardhme të ndritshme sipas shkëndijave premtuese të këtij sezoni debutues në Liverpool.

“Ky klub është në një moment të mirë, ne do të shkojmë përsëri”, insistoi Klopp. “Këta djem janë vërtet konkurrues. Ata kanë një qëndrim të jashtëzakonshëm dhe është një grup fantastik. “Ku është finalja e vitit të ardhshëm? Stamboll. Rezervoni hotelin.”

Klopp arriti të marrë përgjigjen e përsosur ndaj agonisë së Liverpool-it që humbi finalet evropiane në Basel ndaj Sevilla-s në sezonin 2015-16 dhe në Kiev dy vjet më vonë, dhe me siguri do të sigurojë që ata të kanalizojnë ndjenjën e dëshpërimit në një mënyrë të ngjashme.

Por, hijet e dështimit në fazat më kritike të Premier League dhe Champions League, sigurisht që do t’i përndjekin për një kohë të gjatë. Finalet e Champions League, FA Cup dhe Carabao Cup dhe grumbullimi i 92 pikëve në kampionatin anglez dhe vetëm katër humbje në 63 ndeshjet e luajtura në një sezon intensiv për The Reds.

Megjithatë, përtej arritjeve të jashtëzakonshme, sukseseve të mëdha dhe paraqitjeve mbresëlënëse, sezoni 2021-2022 për Liverpool do të konsiderohet përfundimisht si një tregim që mbyllet me thirrjen penduese ‘’ah, çfarë mund të kishte qenë’’.

Burimi: The Atletic
Përgatiti: Alban Aga

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...