Futboll

Futboll
starova
  • Lexuar 243

Starova, i kënaqur: Me Fenerbahcen paraqitje dinjitoze

Një humbje që nuk dhemb, madje ajo ndaj Fenerbahces në Antalya ishte një disfatë që la shumë të kënaqur, trajnerin e Partizanit Sulejman Starova i cili në intervistën e tij për Supersport në përfundim të sfidës të cilën të Kuqtë e humbën me shifrat 3-1, vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij.

“Për ne nuk ishte momenti për të bërë miqësore me Fenerbahcen. Ndeshjen nuk e nisën mirë, por besoj se ia arritëm qëllimit. Lojtarët e morën sodisfaksionin që kërkonin, pasi nuk është pak të luash ndaj një kundërshtari si Fenerbahce. Bëhet fjalë për një legjendë të futbollit turk, për një skuadër me një buxhet të jashtëzakonshëm. Mendoj se ana fizike ishim ok. Të gjithë lojtarët që u aktivizuan dhanë maksimumin e tyre dhe jam përgjithësisht i kënaqur me futbollistët e mi. Baza do të jetë kjo që kemi, ndërsa prurjet e reja do të jenë një plus për ne. Ishim gati për tu përballur me një skuadër si Fenerbahce, megjithatë të gjitha përgatitjet tona janë për kampionatin”.

Pas pak ditësh Partizani do të ketë një tjetër ndeshje miqësore këtë herë ndaj skuadrës azere të Qabalas, por trajneri Starova konfirmoi faktin se nëse do të shtyhet kampionati, Partizani do të qëndrojë më tepër në Turqi dhe mund të zhvillojë edhe ndonjë ndeshje tjetër miqësore.

“Tashmë kemi dhe 1 ndeshje tjetër miqësore përgatitjet po shkojnë mirë dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Nëse do të shtyhet kampionati dhe ne do të qëndrojmë 3 apo 4 ditë më tepër këtu në Antalya dhe do të zhvillojmë edhe ndonjë miqësore tjetër”.

Ekuban edhe njëherë tjetër ishte futbollisti më i mirë në fushë për Partizanin. Ndaj Fenerbahces, sulmuesi ganez realizoi golin e vetëm për Të Kuqtë ndërkohë që në pjesën e parë goditi edhe shtyllën. 22-vjecari në mikrofonin e Supersport nuk mund ta fshihte kënaqësinë për paraqitjen personale dhe atë të skuadrës, ndërkohë që nënvizoi edhe njëherë tjetër se objektivi i tij në këtë sezon është të fitojë titullin kampion me Partizanin.

“Mendoj se personalisht bëra një ndeshje të mirë, mund të kisha realizuar dy gola por nuk pata fat, por jam i kënaqur me veten, por edhe për skuadrën sepse bëmë një paraqitje të mirë. Menaxherët janë edhe në Itali edhe në Shqipëri madje pasi ata bëjnë punën e tyre, unë luaj për të dhënë më të mirën time dhe mundohem të jap maksimumin për Partizanin. Nëse do të vinte ndonjë ofertë e mirë, do të ishte dicka pozitive për klubin por edhe për mua personalisht. Unë dua të jap maksimumin për Partizanin dhe të fitojë titullin kampion me këtë skuadër që është edhe objektivi ynë kryesor në këtë sezon”.

Ndeshjen ndaj një emri të madh si Fenerbahce e shfrytëzuan si një vitrinë për të ardhmen e tyre edhe dy lojtarë të talentuar të Partizanit, mesfushori Ylber Ramadani dhe mbrojtësi Arbnor Fejzullahi.

Ylber Ramadani:
“Ishte një provojë shumë e madhe, intensiteti ishte shumë i lartë, Fenerbahce dihet që është një klubit i një niveli shumë të lartë dhe u paraqitëm mirë. Në minutat e para nuk ishim shumë të përqëndruar por jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, dhe timen personale. Ishte një ndeshje pozitive për mua përballë një emri të madh”.

Arbnor Fejzullahi:
“Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në kampionat, pasi vija nga një dëmtim dhe mendoj se shfaqa një formë të mirë. Fenerbahce është një ekip i madh, ishte një eksperiencë e re për mua kundër një ekipi të madh. Ne këto ndeshje po i bëjmë për tu përgatitur sa më mirë për kampionatin”.

Shpernda artikullin

Partizani humbet 3-1 miqësoren e luksit me Fenerbahçe

Artikulli Pas »

De Biasi, i ftuari special te Sampdoria