Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

16 javë pezullim dhe gjobë 25.000 $, rebeli Kyrgios 6 muaj në mbikëqyrje të rreptë

Nick Kyrgios do të jetë në mbikëqyrje të rreptë për 6 muajt e ardhshëm në të gjitha aktivitetet tenistike për sjellje të padenjë e shkelje të përsëritura sa i përket etikës dhe rregullores së këtij sporti. Sikur të mos mjaftonte periudha 6-mujore në provë, po për të njëjtat arsye tenisti australian është gjobitur me një shumë prej 25.000 $. Federata ATP e ka skualifikuar 24-vjeçarin nga Canberra me 16 javë, sidoqoftë për hir të së vërtetës si skualifikimi ashtu edhe gjoba prej 25.000 $, për momentin, janë pezull dhe gjithçka varet nga sjellja e vetë tenistit me origjinë greke në 6 muajt e ardhshëm.

Në fakt, sezoni për numrin 27 të botës me shumë gjasa quhet i përfunduar, sepse pas eliminimit në turneun e Zhuhait nga veterani italian Andreas Seppi, që në turin e parë, në një takim ku numri 6 i këtij kompeticioni shpërdoroi madje edhe tre mundësi për të fituar setin hapës, Nick Kyrgios deklaroi se nuk do të marrë pjesë në asnjë nga turnetë aziatikë që mbeten në kalendar, pra Pekin, Tokio dhe Shangai, për shkak të një dëmtimi të pësuar në pjesën e klavikulës.

Sikur të mos mjaftonin problemet e shumta dhe të vazhdueshme në aspektin disiplinor situata për tenistin australian u përkeqësua në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Mastersin e Cincinnatit. Skualifikimi prej 16 javësh erdhi për arsye të sjelljes së tij krejtësisht të pakontrolluar në turneun e Ohios, ku Kyrgios shkatërroi plotësisht dy raketa, sjellje që u shoqërua me shishe të flakura përdhe si dhe me hedhjen e këpucëve, por mbi të gjitha për shkak të ofendimeve të vazhdueshme si dhe një gjesti tepër të shëmtuar, teksa pështyu arbitrin irlandez Fergus Murphy që po drejtonte takimin e tij me tenistin rus Karen Khachanov. Pas gjithë këtyre ndodhive në seri Kyrgios u gjobit me një shumë prej plot 113.000 $, për pesë shkelje të ndryshme.

Vendimi më i fundit u mor pas rishqyrtimit të sjelljes së tenistit australian gjatë gjithë 12 muajve të fundit, shqyrtim i kryer nga një grup i ngritur enkas nga drejtuesit e Federatës ATP në lidhje me gjithë problemet apo polemikat e hapura nga 24-vjeçari, që natyrisht bien ndesh me rregulloren e organizmit më të lartë të këtij sporti.

Në fundin e muajit gusht Nick Kyrgios u paralajmërua gjatë ndeshjes së raundit të parë në US Open me tenistin amerikan Steve Johnson nga arbitri britanik James Keothavong, ndërsa pas atij takimi, i pyetur nga gazetarët për gjobën në Cincinnati, akuzoi drejtuesit e Federatës ATP si të korruptuar, megjithëse pak më vonë po vetë modifikoi një deklaratë të tillë, duke rrëfyer se thjesht nuk kishte bërë përzgjedhjen e duhur të fjalëve, për të shtuar në vazhdim se në të vërtetë ai besonte se drejtuesit e kësaj federate ishin me faj, për shkak të punës me dy standarde.

Pas këtij qartësimi të bërë nga tenisti australian çështja u mbyll përkohësisht me aq, gjithsesi më herët gjatë muajit maj në Foro Italico pas sfidës me norvegjezin Casper Ruud në turin e dytë, Kyrgios goditi një shishe, hodhi raketën dhe iu hakërrye kryesorit përpara se të tërhiqej dhe të linte takimin përgjysmë, në një kohë kur ishin luajtur vetëm tre game gjithsej në setin final, ndërsa në Queen’s tenisti australian u gjobit me 17.000 $ për sjellje antisportive.

Në vitin 2016, në Mastersin e Shangait, kur Kyrgios u mund thellë 6-3, 6-1, duke u eliminuar që në raundin e dytë, përpjekjet dhe serioziteti i tij sa i përket ndeshjes me gjermanin Mischa Zverev, u vunë në dyshim. Mënyra se si Nick Kyrgios i trajton njerëzit apo dhe mungesa e respektit ndaj tyre kanë qenë tema të vazhdueshme diskutimi në këtë sport, ku spikatin, pa dyshim, ofendimet ndaj arbitrave kryesorë, gjyqtarëve të vijave apo dhe spektatorëve.

Kyrgiosit i janë dhënë vetëm pesë ditë kohë për të apeluar një vendim të tillë, ndërkaq tenisti australian do të jetë në provë në 6 muajt e ardhshëm, pra deri në fundin e muajit mars, periudhë kohe ku 24-vjeçarit me origjinë greke nuk do t’i tolerohet më asnjë sjellje antisportive, apo as ofendimi më i vogël në drejtim të gjyqtarëve në turnetë ATP apo edhe ata Challenger, përndryshe, nëse regjistrohen sërish shkelje të kësaj natyre, Nick Kyrgios do të skualifikohet për 16 javë, pa anashkaluar gjithashtu as faktin që në një rast të tillë tenisti problematik australian do të duhet më pas të ndiqet nga një psikolog, për të verifikuar nëse është në gjendje dhe i plotëson kushtet për të luajtur apo jo në turnetë e organizuar nga Federata ATP.

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...