Athletic Bilbao nuk ka arritur të gjejë fitoren as sot, në transfertën ndaj Deportivo La Corunës. Baskët kaluan 2 herë në avantazh, por vendasit reaguan mirë në të 2 rastet dhe vendosën baraspeshën, duke fiksuar rezultatin 2-2.
Baskët kaluan në avantazh që në minutën e 16’ me anë të Susaetës, por vendasit barazuan në të 35-ën me anë të mesfushorit Adrian. Edhe në pjesën e dytë, Athletic Bilbao gjeti sërish avantazhin, këtë herë me anë të sulmuesit Williams, por Deportivo barazoi pak minuta më vonë, me golin e mbrojtësit zviceran, Fabian Schar.
Në minutat e fundit, të 2 skuadrat patën nga një mundësi të mirë për të shënuar, veçanërisht baskët, që u penalizuan nga rasti i pastër i humbur nga autori i golit të dytë, Williams.
La Liga kryesohet nga Barcelona me 34 pikë, e ndjekur nga Valencia me 30. Të 2 këto skuadra do të përballen sonte në orën 20:45, në ‘Mestalla’ dhe sfida do të transmetohet në SuperSport.