Teuta vjen në një moment kritik të sezonit, ku starti perfekt u pasua nga një ecuri negative. Dorëheqja e trajnerit Magani nuk u pranua me drejtuesit e klubit, që morën masa ndaj futbollistëve.
Më shumë se pakënaqësi ndaj tyre, kjo shihet si një shkundje për ambientin, që të rikthehet tek rruga e sukseseve dhe kapërcimi i kësaj situate. Shifrat janë ato që ngrejnë alarmin, pasi në 6 javët e fundit Teuta ka marë vetëm një pikë në barazimin 1-1 me Kamzën, duke regjistruar gjithashtu edhe një golavarazh tepër negativ, me 7 gola të realizuar dhe 15 të pësuar në këtë periudhë.
Për të parë një ecuri të tillë të ‘Djemve të Detit’, duhet të kthehemi prapa në kohë, në periudhën shkurt-mars të vitit 2015, ku në 6 javë radhazi regjistroheshin vetëm humbje, me golavarazh 5 gola të shënuar dhe 14 të pësuar. Tifozët presin rikthimin e skuadrës së dy javëve të para, për të harruar atë çfarë ekipi dhuroi më pas dhe sigurisht prishjen e humorit brenda ekipit, që nga dorëheqja e kërkuar nga trajneri dhe masat e mara ndaj futbollistëve.
Është momenti që ambienti të pësojë shkundjen e nevojshme, teksa kthesa shihet si një mision i mundur për Teutën, pasi kjo javë i rezervon përballjen me Laçin në ‘Niko Dovana’. Një kundërshtar i lehtë në letër, që duhet të bëjë llogaritë edhe me dëshirën e madhe të durrsakëve për të rigjetur fitoren.