Manchester United ka nevojë urgjente për përforcime. Edhe pse drejtuesit e klubit të famshëm anglez nuk janë kursyer, afrimet e viteve të fundit kanë qenë përgjithësisht të dështuara.
Ekipi vazhdon të vuajë, ndërkohë që sezoni i ri në Premier League ka nisur me dy humbjet ndaj Brighton dhe Brentford. Holandezi Erik Ten Hag kërkon prurje dhe në skenë kanë dalë dy emra nga Spanja.
Për sulmin po tentohet Pierre-Emerick Aubameyang, i cili pritet të largohet nga Barcelona pas zbarkimit të Robert Lewandowskit në “Camp Nou”. Kapiteni i Gabonit e njeh mirë Premier League, pasi ishte pjesë e Arsenalit për katër vite (janar 2018-janar 2022).
33-vjeçarin e kërkon edhe Chelsea, që po ushtron presion për blerjen e tij, ndërkohë që “Blutë e Londrës” tani duhet të përballen edhe me konkurrencën e “Djajve të Kuq”.
Nga ana tjetër, United po synon edhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Realit të Madridit. Anglezët kanë gati një ofertë prej 80 milionë eurosh për Casemiron, “luftëtarin” e Realit.
Brazilianin e pret dyfishim page nëse pranon kalimin në “Old Trafford”, ndërkohë që milionat e shumta tundojnë jo pak presidentin Perez, i cili mund të heqë dorë nga shërbimet e 30-vjeçarit brazilian.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?
