Futboll

Kukësi firmos me Bakaj: Zgjedhje e lehtë

Elis Bakaj është i Kukësit. Goditje e madhe e kampionëve të Shqipërisë që me një operacion të rrufeshëm kanë siguruar shërbimet e sulmuesit 30 vjecar që luajti gjysmën e dytë të sezonit të kaluar me Vllazninë. Ka mjaftuar një bisedë me Presidentin Gjici për të hedhur më pas firmën në kontratën 1 vjecare me opsion rinovimi edhe për atë pasardhës. Bakajn e kërkonin edhe skuadra të tjera të rëndësishme të kampionatit shqiptar, por sipas tij zgjedhja ishte e lehtë.

“Nuk ka qenë aspak e vështirë për mua të zgjidhja Kukësin sepse jam bërë pjesë e skuadrës kampione, e një ekipi që gjithmonë pretendon për trofe. Mua më pëlqejnë këto lloj sfidash, jam i kënaqur që arritëm ta mbyllnim me sukses marrëveshjen. Kam pasur bisedime edhe me skuadra të tjera, por mendoj se kam bërë një zgjedhje të rëndësishme”.

Binomi Kukësi – Bakaj me sa duket ka qenë në shenjën e të dyja palëve, pasi ish sulmuesi i Tiranës dhe Partizanit ka qenë edhe më parë pjesë e Kukësit, pikërisht në marsin e vitit 2014 ku për shkak të ndërprerjes së kampionatit ukrainas për shkak të luftës Bakaj u largua nga Chornomorets Odesa dhe firmosi për pjesën e mbetur të sezonit me Kukësin. Megjithatë atë kohë Bakaj nuk mundi të luante me Kukësin për shkak se nuk mori dokumentin për kalimin nga Uefa.

“Kam pasur bisedime me Kukësin edhe para shumë vitesh por atëherë nuk erdhi lejekalimi nga Ukraina. E rëndësishme është që jam bërë tani pjesë e Kukësit. Mua më pëlqejnë sfidat dhe dua të fitojë trofe me Kukësin. Jam i kënaqur që arrita një marrëveshje me presidentin Gjici”.

Padyshim që do të jetë një ndër lojtarët më të paguar të Superiores, klubi kampion i ka plotësuar kërkesat financiare bazë si dhe duke parashikuar një sërë klauzolash me bonuset në varësi të arritjes së objektivave nga klubi dhe nga vetë futbollisti, vetë Bakaj preferon të mos fokusohet te shifrat por te projekti sportiv.

“Nuk mund të flas për kontratën nuk mund t’i zbuloj ato detaje, unë dua të jap më të mirën time te Kukësi, dua të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat që ka. Nuk mund të premtoj se dua të arrij dicka në aspektin personal, por për mua vlerë ka të ndihmoj ekipin, jam këtu për të bërë më të mirën time për të dhënë maksimumin. Premtoj që do të jap gjithmonë më të mirën time për të ndihmuar skuadrën në arritjen e rezultateve”.

Sulmuesi që mund të mbulojë edhe rolin e fantazistit i jep më tepër opsione trajnerit Mladen Milinkovic.

“Për pozicionin tim në fushë nuk mund të them asgjë se ku do të luaj sepse do të jetë trajneri ai që do të vendosë”.

Një karrierë e pasur gjatë së cilës ka qenë pjesë edhe e Kombëtares jashtë ka konfirmuar vlerat në Rumani, Kroaci e Ukrainë ndërsa në Shqipëri me Tiranën e Partizanin, Kukësi është një tjetër destinaxcion elitar.

“Është e vërtetë që kam luajtur me skuadrat më të mëdha futbollit shqiptar, por edhe Kukësi bën pjesë në këtë listë sepse edhe pse ka pak vite në elitë ka qenë gjithmonë në krye të klasfikimit. Unë nuk u mendova dy herë dhe jam shumë i gëzuar që jam bërë pjesë e Kukësit.”

Sezonin e kaluar idhulli në sulm ishte Pejic, por Bakajt nuk i pëlqejnë krahasimet ai është dhe mbetet Elis Bakaj

“Nuk do të jetë e lehtë për mua të zëvendësoj një sulmues si Pero Pejic, pasi ai është një emër i madh i futbollit shqiptar, por gjithsesi unë nuk jam këtu për të zëvendësuar Peron por për të treguar aftësitë e mija.”

To Top