Hyri në fushë nga stoli por rezultoi përcaktues për Dinamon e Zagrebit sepse ishte pikërisht i tiji goli që i evitoi humbjen skuadrës kroate në sfidën e parë play-off ndaj Skënderbeut, me Dinamon që mbajti gjallë shpresat e kualifikimit. Angelo Henriquez, sulmuesi kilian i cili është pjesë e gjigandëve ballkanas që prej vitit 2014, pas paraqitjes shumë të mirë që bëri në ato pak minuta që luajti ndaj Skënderbeut mund ta nisë se titullar sfidën e kthimit që do të luhet të Enjten e 24 Gushtit në Elbasan Arena me trajnerin Mario Cvitanovic që pritet të ulë në stol boshnjakun Armin Hodzic, për t’i bërë vend në formacionit 23-vjecarit të përfaqësueses kiliane. Henriquez është optimist dhe beson se Dinamo pavarsisht barazimit 1-1 në ndeshjen e parë ka shanse të mira për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Europa League.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë sepse Skënderbeu është një rival i fortë. Por ne duhet të rinisim gjithcka nga ajo pjesë e dytë që zhvilluam në stadiumin Maksimir, sepse nëse luajmë në të tillë mënyrë edhe në Shqipëri jam i bindur që do të kemi shanse të mira për ta kaluar turin. Kemi ende disa ditë për ta përgatitur në mënyrën më të mirë atë sfidë dhe besoj se do të bëjmë një paraqite pozitive”.
Më pas autori i 2 golave me La Rojan amerikano-jugore, parajamëroi shokët e tij të skuadrës të tregojnë më shumë kujdes ndaj Skënderbeut.
“Mendoj se gjërat do të ndryshojnë në Shqipëri. Nuk mund tu lejojmë rivalëve tanë të krijojnë aq shumë mundësi shënimi. Duhet t’u lëmë sa më pak hapësira dhe nuk duhet të humbim aq shumë raste. Megjithatë unë besoj shumë te fitorja jonë, jam i sigurtë se do të kualifikohemi në fazën e grupeve”.
