Milan dhe Napoli nuk i ndahen Juventusit dhe Interit duke marrë dhe ato fitoren e dytë në dy javë kampionat dhe pse përballë Cagliarit dhe Atalantës nuk e patën aspak të thjeshtë. Kuqezinjtë fituan 2-1 në “San Siro” me sardët falë një goditje dënimi perlë të Susos.
Cutrone ishte sërish njeriu kyc për ekipin e Montellës, që po zbulon te 19-vjecari sulmuesin kryesor të këtij kampionati, teksa shënoi sërish në fillimin e ndeshjes duke i dhënë epërsinë që në fillim kuqezinjve.
Cagliari megjithatë nuk është ndër ato skuadra që dorëzohet dhe Joao Pedro barazoi rezultatin në të 56-tën, përpara se Suso me golin e tij t’i jepte 3 pikët kuqezinjve. 3-1 fitoi Napoli në “San Paolo” me Atalantën, me bargamaskët që i hapën sërish shumë telashe ekipit të Sarrit. Për 56 minuta miqtë kryesonin në transfertë falë golit të Cristantes, por u nevojit një goditje fantastike e Zielinskit, që Napoli të gjente barazimin por dhe lojën në momentin më të mirë të Atalantës.
Ky ishte goli që ktheu ndeshjen pasi në të 61-tën, Mertens shënoi dhe të dytin pas një kombinimi me Insignen.
Ndërsa vulën e vuri kroati Rog që erdhi nga stoli për të mbyllur takimin me golin e 3-1. Paraqitje e mirë e Berishës, që gjithsesi ishte pa faj te të 3 golat. Fitoren e parë mori ndërkohë Lazio që mundi 2-1 në transfertë, Chievon me gola të Immobiles dhe Milinkovic Savicit. Në këtë sukses pati meritë dhe Strakosha që u tregua në më shumë se një rast vendimtar me pritjet e tij. 2-1 fitoi jashtë fushe dhe Sampdoria ndaj Fiorentinës, me dorianët që brenda 3 minutave shënuan dy herë me Caprarin dhe Quagliarellën nga pika e bardhë. Ndërsa goli i Badelj në pjesën e dytë vetëm sa i dha shpresë ekipit vjollcë, pasi 3 pikët i morën miqtë. Në takimet e tjera të javës u regjistruan ndërkohë këto rezultate.
Torino mori gjithashtu një fitore të vyer ndaj Sasuoloes me rezultatin 3-0, me Bellotin që ishte protagonisti i madh me një gol fantastik, që mund të kandidohet që tani për cmimin Pushkash. Dy realizimet e tjera për Torinon mbajtën firmën e Ljajicit dhe Obit.
