Skënderbeu mori pikën e parë në dy ndeshje të zhvilluara në grupet e Europa League, pas barazimit 1-1, në sfidën e ‘Elbasan Arenës’, ndaj zviceranëve të Young Boys. Ashtu si dy javë më parë ndaj Dinamos së Kievit, Skënderbeu ka kaluar i pari në avantazh, por sërish nuk ia kanë dalë të ruajë avantazhin ndaj zviceranëve, duke u ndëshkuar pak minuta nga fundi.
Në 45 minutat e para janë miqtë zviceranë që rrezikojnë të parët dhe herë pas here tentojnë edhe të gjejnë rrugën e rrjetës, por Orges Shehi u tregua tepër i saktë duke e ndalur topin. Me rrjeta të paprekura u mbyll edhe fraksioni i parë i ndeshjes, ndërsa pjesën e dytë, Skënderbeu u shfaq më i rrezikshëm dhe në momentin e tyre më të mirë, në të 65-ën, Ali Sowe ka kaluar në avantazh “Ujqërit e Dëborës”.
Por pas shënimit të golit janë zviceranët ata që hidhen në sulm dhe u shpërblyen me gol, nga Assale, i cili i gjendur i pambuluar në hyrje të zonës, ka befasuar Orges Shehin duke barazuar shifrat. Minutat e mbetura nuk sollën asgjë të re për asnjë prej skuadrave.
