Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë sot një mesazh urimi për të gjithë komunitetin e futbollit dhe shoqërinë shqiptare me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Federatës. Presidenti Duka ka vlerësuar arritjet e lojës më të dashur për shqiptarët ndër vite, ndërsa ka bërë me dije se në këtë vit jubilar do të zhvillohen shumë aktivitete, sesione shkencore për ngjarjet historike apo për personalitetet e futbollit shqiptar.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së ka deklaruar se gjatë këtij viti do të inaugurohen edhe dy muzeumet e futbollit, që do të jenë një atraksion i vërtetë për sportdashësit.

Mesazhi i plotë i Presidentit Duka:

“Të dashur futbollistë, trajnerë dhe drejtues klubesh!
Të dashur veteranë, fëmijë që luani futboll, përfaqësues të mediave e sportdashës!

Sot është një ditë shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar. 90 vjet më parë më 6 qershor të vitit 1930, Mbreti Zog firmosi Dekretin Mbretëror për krijimin e Federatës Sportive, nën kujdestarinë e Entit ‘Djelmënija Shqiptare’.
Unë jam shumë i lumtur sot që t’i uroj të gjithë komunitetit të futbollit në vend: Gëzuar 90-vjetorin e krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit!
Duhet ta kishim festuar ndryshe, por pandemia nuk na ka lejuar që të kishim një vit të tërë jubilar të 90-vjetorit të krijimit të FSHF-së. Gjatë kësaj periudhe ne kemi rikujtuar në rrjetet sociale dhe në media figura apo aktivitete të futbollit shqiptar ndër vite.
Gjatë gjithë vitit do të vazhdojmë të rikujtojmë nëpërmjet shumë aktiviteteve, sesioneve shkencore për arritjet apo për personalitetet e futbollit shqiptar. Do të inaugurojmë dy muzeume, atë në ‘Shtëpinë e Futbollit’ dhe në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’, ku do të pasqyrojmë të gjithë aktivitetin e futbollit shqiptarë ndër vite.
Jam i lumtur, që kur kthej kokën pas shoh zhvillimet e futbollit shqiptar që kanë një progres shumë të madh. Jam i lumtur për arritjet e futbollit shqiptar dhe të futbollistëve shqiptarë ndër vite, e cila ka kulmuar me pjesëmarrjen e Shqipërisë në EURO 2016.
Por me gjithë sukseset, investimet, projektet e mëdha të bëra gjatë këtyre viteve në futbollin shqiptar, sfidat e të ardhmes janë akoma më të mëdha. Futbolli është loja më e bukur për shqiptarët dhe për t’ju përgjigjur dëshirës së shqiptarëve na dalin akoma më shumë punë, të realizojmë më shumë objektiva, të kemi një strategji të qartë për ta çuar këtë lojë atje ku e duan të gjithë sportdashësit shqiptarë.
Edhe një herë i uroj të gjithë komunitetit të futbollit dhe të gjithë shoqërisë shqiptare gëzuar 90-vjetorin e krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit”.