Do të luajë edhe dy ndeshje me Luftëtarin, më pas do të niset drejt Belgjikës për të nisur një eksperiencë shumë të rëndësishmë me Andelchtin. Kristal Abazaj, i ftuar në “Procesi Sportiv”, në Top Channel, i bëri një analizë të shkurtër ecurisë së Luftëtarit, si dhe tregoi impaktin e parë të firmës me gjigantët e futbollit belg.
Si do ta vlerësonit ecurinë e Luftëtarit në këtë sezon?
Kemi ecur shumë mirë në fakt dhe synojmë të arrijmë Europën, pasi nuk e kemi siguruar matematikisht. Kur erdhi profesor Lika, morëm disa humbje, por ai na mbajti me këmbë në tokë dhe na futi atë shpirtin e grupit, duke shfrytëzuar faktin që ishim një grup me lojtarë të rinj, të etur për sukses.
Tashmë e ardhmja juaj është është te Anderlechti…
Po, kam firmosur me skuadrën para rreth një muaji dhe bëra edhe disa vizita e testime të detyrueshme. Për fat të mirë, dola shumë mirë në to, ndërsa sprinti dhe shpejtësia janë elementët që ata vlerësuan më shumë tek unë. Pashë ndeshjen me Standard Liezhin, stadiumi ishte plot, një atmosferë fantastike. Këtë herë takova sërish edhe trajnerin, me të cilin ndenja në zyrë dhe më tha se do të më dërgonte edhe një program pune, sapo të përfundoja sezonin me Luftëtarin.
Si ju duken kushtet në Belgjikë dhe sa do të jetë rroga juaj?
Sapo jam kthyer nga Belgjika. Atje më bënë përshtypje kushtet, që ishim pak a shumë si këtu (qesh). Nuk e kam parë fare kontratën, por e kam firmosur menjëherë, sepse po prisja me padurim.
Kur do t’i bashkoheni Anderlechtit? A do të donit edhe Bregun atje?
Do bëjmë diçka edhe për Bregun. Anderlechtit do t’i bashkohem më 16 qershor, kur do të fillojë edhe puna për sezonin e ri.