Chelsea i Londrës vetëm pak ditë më parë humbi gjyqin me trajnerin italian, Antonio Conte, të cilit do t’i paguajë një dëmshpërblim prej 9 milionë paundësh për prishje të njëanshme të kontratës. Po t’u bësh një analizë të shpejtë vendimeve të manjatit rus, Roman Abramovich gjatë epokës së tij të Chelsea del qartë që vetëm për të dëmshpërblyer trajnerët e shkarkuar ka shpenzuar 92.9 milionë paundë. Janë në fakt emra të rëndësishëm të trajningut, që nga Ranieri, Mourinho e shumë të tjerë, që janë paguar me shumë të mëdha për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga drejtuesit e Chelsea-t. A është radha e Maurizo Sarrit? Trajneri italian është shprehur se dëshiron të qëndrojë te Chelsea, por gjithçka do të varet nga rezultati i finales së Europa League-s. Ndoshta Abramovich e ka vendosur edhe shkarkimin e Sarrit e pret thjesht përfundimin e sezonit, sepse ka treguar se nuk e ka problem të shpenzojë shuma të madhe për trajnerët kur i largon nga detyra, ndoshta edhe me prepotencë.
Trajnerët e shkarkuar nga Abramovich:
1 – Claudio Ranieri (Maj 2004). Kompensimi: 6 milionë paundë
2 – Jose Mourinho (Shtator 2007). Kompensimi: 23.1 milionë paunë (për atë dhe stafin e tij)
3 – Avram Grant (Maj 2008). Kompensimi: 5.2 milionë paundë
4 – Luiz Felipe Scolari (Shkurt 2009). Kompensimi: 12.6 milionë paundë
5 – Carlo Ancelotti (Maj 2011). Kompensimi: 6 milionë paundë
6 – Andre Villas-Boas (Mars 2012). Kompensimi: £ 12 milionë
7 – Roberto Di Matteo (Nëntor 2012). Kompensimi: 10.7 milionë paundë
8 – Rafa Benitez (Maj 2013). Kompensimi: Zero
9 – Jose Mourinho (Dhjetor 2015). Kompensimi: 8.3 milionë paundë (për atë dhe stafin e tij)
10 – Guus Hiddink (Maj 2016). Kompensimi: Zero
11- Antonio Conte (Korrik 2018). Kompensimi: 9 milionë paundë