Kur Manchester City humbet apo barazon është thjesht një rezultat sporadik. Skuadra e Pep Guardiolës reagoi me një fitore bindëse 5-1 ndaj Leicester City-t, duke bërë të harrohet shumë shpejt barazimi 1-1 në fushën e Burnley-t. I papërmbajtshëm në këtë sfidë të zhvilluar në “Etihad” Kun Aguero, që realizoi 4 nga 5 golat e “Citizens”.
Që do të ishte një ndeshje me shumë gola u paralajmërua që në minutën e 3-të, kur Sterling, i shërbyer nga De Bruyne, zhbllokoi sfidën. Jamie Vardy ktheu baraspeshën në rezultat në minutën e 24-t, më pas skenën e rrëmbei Aguero, që realizoi katër gola të njëpasnjëshëm në pjesën e dytë, të fundit në kohën shtesë. Mbrojtja e Leicesterit u shfaq e pafuqishme para kombimeve dehëse të lojtarëve të City-t, aksionet e të cilëve përmbylleshin nga një Aguero në superformë. Manchester City shkon në kuotën e 72 pikëve, ndërsa Leicesteri mbetet në vendin e 8-të me 35 pikë.