Ajaxi i Amsterdamit kampion i Holandës për herë të 36-të në histori. “Harkëtarët” siguruan titullin në javën e parafundit të Eredivisies falë suksesit të thellë 5-0 përballë Heerenveenit në “Johan Cruiyff Arena”, në ndeshjen e parafundit në stol të trajnerin Erik ten Hag, që nga sezoni i ardhshëm do të drejtojë Manchester United.
Një sfidë pa shumë histori përballë Heerenveenit, që kapitulloi brenda pjesës së parë, duke pësuar tre gola. Të parin e shënoi Tagliafico në minutën e 19-të, pas topit të marrë nga Tadic, më pas, në të 33-të thelloi epërsinë Berghuis e vetëm pesë minuta më vonë shënoi të tretin Haller, që shkon në kuotën e 21 finalizimeve në krye të renditjes së golashënuesve më të të mirë të Eredivisies. Në fundin e takimit e gjetën golin edhe Brobbey dhe Alvarez.
Suksesi i Ajaxit e bëri të pavlefshëm fitoren 3-2 të PSV-së ndaj Nijmegen. Gjithsesi, ekipi i drejtuar nga Rogger Shcmidt e kishte siguruar vendin e dytë.