Abissnet Superiore

Ajazi: Goli për dajën tim, Kastrioti nuk dorëzohet. Trajneri? Zgjedhja e duhur

Spartak Ajazi dërgoi në rrjetë topin e parë që preku sapo u fut në fushë në fitoren 2-0 kundër Teutës. Goli i katërt sezonal në Abissnet Superiore për sulmuesin e Kastriotit, i cili foli në “Gol pas Goli”Supersport rreth suksesit të sotëm, objektivave të ekipit krutan dhe ndryshimit që ka sjellë trajneri Emiliano Çela.

Ishte një fitore mjaft e bukur, ndikoi në rritjen e entuziazmit në skuadër. Situata ka ngjallë shpresë, na është rritur morali që kemi cilësi dhe mund ta përballojmë këtë kampionat.

Duhet të kemi të gjithë besim deri në fund. Shikoj se nëpërkëmbemi në media, ngaqë kemi grumbulluar pak pikë, por kemi mundësitë të bëjmë mirë. Kam besim, kemi forcë grupi. Objektivi ynë është të eliminojmë dy vendet e fundit, edhe ‘play-off’ do të ishte ok. Duhet të jemi realistë dhe me këmbë në tokë.

Goli? Ndihem i lumtur, ndihem mirë që shënova. Kjo është detyra e sulmuesit, dua t’ia dedikoj këtë gol njeriut që humbi betejën me Covid-19, është momenti t’ia dedikoj këtë gol dajës tim. Më ka mbështetur shumë gjatë gjithë karrierës. Më mungon çdo këshillë e tij, ka qenë një mbështetje e madhe për mua.

Çfarë ka ndryshuar trajneri i ri në skuadër? Ai ka sjellë një frymë të re, ai është një ish-lojtar dhe ish-kapiteni i ekipit, është i vetmi që e njihte shumë mirë ambientin këtu, është një zgjedhje e mirë e drejtuesve.

Ka dëshirë për të arritur objektivat, por edhe trajneri i mëparshëm ka bërë shumë mirë, nuk ka munguar dëshira dhe grinta, kemi pasur probleme në aspektin psikologjik.

Çdo ndryshim vjen për mirë, uroj të vazhdojmë kështu. Mirë nisi, le të vazhdojmë kështu”, përfundoi sulmuesi kurbinas.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency