Featured

Akademitë në Europë / “La Fabrica” prodhon më shumë se “La Masia”, por vendi i parë i takon një tjetër klubi të njohur

Futbolli ka ndryshuar shumë në vitet e fundit, jo vetëm me rregulla të reja sa i përket një ndeshje, por edhe mënyra sesi shihet ky sport tani. Shumë klube kanë filluar në vitet e fundit të investojnë në akademitë e tyre, kjo pasi jo vetëm përforcojnë skuadrat respektive, por pasi tani ky investim sjell shumë përfitime. Shumë klube kanë vendosur t’u japin besim lojtarëve të rinj, të akademive të tyre dhe të mos shpenzojnë më para për të blerë lojtarë dhe më pas në fund të dështojnë. Klubet si Ajax dhe Benfica janë fokusuar te akademitë dhe krenohen për diçka të tillë dhe kjo jo pa arsye. Nga viti 2015, plot 13 klube kanë arritur të marrin përfitime të jashtëzakonshme nga akademia dhe për më tepër duke shtuar numrat në arkat e tyre.

Në vendin e fundit, në vendin e 13-të renditet klubi i Flamengos. Brazilianët në shtatë vite kanë regjistruar një fitim prej 152 milionë euro dhe krenohet me Vinicius Junior, i cili u transferua te Real Madrid për shumën e 45 milionë euro, por edhe me emra si, Lucas Paqueta.

Më pas vjen Barcelona. Akademia “La Masia” ka prodhuar talente të klasit botëror si Gavi, por që në fund edhe ka përfituar nga shitja e disa prej tyre, me një total prej 161 milionë euro. (Pedro, Denis Suarez, Marc Cucurella)

Në vendin e 11-të është Atletico Madrid. Skuadra e Diego Simeones ka regjistruar një fitim prej 167 milionë euro, një rritje e konsiderueshme sidomos pas transferimeve të vëllezërve Lucas dhe Theo Hernandez.

Në radhë është skuadra angleze e Liverpool që ka mbledhur një fitim prej 171 milionë euro, pas shitjeve rekord të Philippe Coutinho-s dhe Raheem Sterling. Gjithashtu Liverpool ka arritur të sistemojë në skuadër një talent si Trent Alexander-Arnold, i cili konsiderohet si një prej më të mirëve në rolin e tij.

Në vendin e 9-të renditet Sporting Lisbone, me portugezët të cilët kanë grumbulluar plot 209 milionë euro në shtatë vitet e fundit. (Shitja rekord, Joao Mario për 45 milionë euro).

Në vendin e 8-të renditet skuadra kampione e Europës, Chelsea. Londinezët kanë shpenzuar shumë në merkato, por gjithashtu “pa zhurmë” kanë përfituar plot 210 milionë euro, pas transferimeve si Abraham dhe Tomori.

Një rritje të jashtëzakonshme ka pësuar akademia e Atalanta-s. Italianët jo vetëm kanë dhuruar një futboll tërheqës në vitet e fundit, por bergamaskët kanë furnizuar kontinentin e vjetër me shumë talente, duke koleksionuar një fitim prej 211 milionë euro. (Amad Diallo për 40 milionë euro te Man.UTD, Kulusevski, Kessie).

Në vendin e gjashtë renditet Bayer Leverkusen. “Aspirinat” kanë përfituar plot 213 milionë euro pas transferimeve si Havertz dhe Kampl, ndërsa  Leverkusen është përgatitur të shtojë fitimet këtë merkato me talentin Florian Wirtz, 18-vjeçari i cili është në listën e shumë klubeve të mëdha në Europë.

Lyon renditet në vendin e pestë me një fitim prej 270 milionë euro (Lacazzette te Arsenal dhe Umtiti te Barcelona), ndërsa në vendin e katërt renditet skuadra holandeze e Ajax. “Harkëtaret” janë një prej akademive që në çdo sezon prodhon emra të rinj dhe kjo tani nuk është më risi. Holandezët kanë një fitim prej 283 milionë euro, pas transferimeve të rëndësishme si Frenkie De Jong dhe De Ligt. Ajax konsiderohet si një prej klubeve më të mira për zhvillimin e lojtarëve dhe një klub te i cili, shumë skuadra gjejnë “mbështetje” duke i kthyer holandezët në një “Super Market” lojtarësh.

Për të kaluar te podiumi, në vendin e tretë renditet Monaco. “Monegaskët” shpenzuan fillimisht me emra si Falcao apo James Rodriguez, por më pas u fokusuan të akademia. Francezët numërojnë 285 milionë euro fitim dhe në krye qëndron transferimi historik i Kylian Mbappe te PSG-ja prej 180 milionë euro.

Në vendin e dytë qëndron Real Madrid. “Los Blancos” disponojnë një prej akademive më të mira në botë. Transferimi i tyre më i madh në këto shtatë vite është lëvizja e sulmuesit Alvaro Morata te Chelsea për 67 milionë euro (gjithashtu edhe Marcos Llorente te Atletico Madrid). Madrilenët numërojnë një fitim prej 330 milionë euro në shtatë vitet e fundit.

Pavarësisht shifrave dhe emrave te Real Madrid, “Froni” i takon portugezëve të Benfica-s. Luzitanët kanë përfituar 379 milionë euro nga viti 2015, si askush tjetër në planet. Transferimi rekord ishte lëvizja e Joao Felix për shumën e 120 milionë euro-ve te Atletico Madrid, ndërsa lista plotësohet nga emra si Bernardo Silva, Ederson dhe Ruben Dias. Në Portugali, në vitet e fundit qarkullon shprehja “Kush do t’a ndalonte Benfica-n, nëse do t’i mbante këta lojtarë?”

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency