Futboll

“Akt që nuk i jep nder Shqipërisë”, për Dukën reagojnë Presidenti i Federatës së Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut

Mbrëmjen e hënës, shtëpia e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka u trondit nga shpërthimi i një tritoli në portën hyrëse të saj. Një lajm që bëri shumë bujë duke qenë se vjen në një moment të nxehtë para zgjedhjeve për kreun e FSHF, teksa gara është bërë e ashpër pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ndërsa ky i fundit ka dalë hapur kundër Dukës.

Për t’iu rikthyer ngjarjes së rëndë në shtëpinë e Dukës, në mbështetje të kreut të FSHF ka reaguar së fundmi edhe presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi si dhe presidenti i Federatës së Maqedonisë, Muamed Sejdini, duke theksuar se një akt i tillë nuk i jep nder Shqipërisë.

Reagimi i Agim Ademit:
“I tronditur me lajmin që mbrëmë vonë është sulmuar me tritol shtëpia e presidentit të FSHF-së, Armand Duka në Durrës.
Akti i tillë kriminal e i shëmtuar përveç se ka shkaktuar frikë e tronditje në familjen Duka, pa dyshim është një ngjarje e rëndë edhe për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi, veçmas duke pasur parasysh faktin se z. Duka është edhe anëtar i KE të UEFA-s.
Fatmirësisht miku im Armand Duka dhe familja e tij janë mirë dhe kanë kaluar pa pasoja nga ky akt i njerëzve të ligë.
Familjes së tij i ofroj tërë mbështetjen time dhe të komunitetit të futbollit kosovar, me shpresë që kryerësit e këtij akti të vihen para drejtësisë dhe në të ardhmen të mos ballafaqohet me ngjarje të tilla”.

Reagimi i Muamed Sejdinit:
“Shpërthimi para shtëpisë së Armando Dukës, një akt i shëmtuar
Nuk dua të mendoj me konspiracion për një lidhje ndërmjet aksioneve të fundit të njerëzve të politikës dhe shpërthimit me tritol para shtëpisë së presidentit të FSHF-së, por nuk qëndroj dot indiferent ndaj një veprimi të tillë të shëmtuar. Mbrëmë në fakt u sulmua Anëtari i Komitetit Egzekutiv të UEFA-së, njeriu që mes tjerash bëri që Tirana këtë vit të paktën për një ditë të jetë qendra e futbollit europian me pritjen e finales së Conference League. Impaktit që kjo ndeshje do t’i jep Tiranës dhe Shqipërisë, sigurisht nuk i bëjnë nder aktet si ky i mbrëmshmi.
E mira e vetme e gjithë këtij akti të shëmtuar është se gjithçka kaloi pa lëndime e as që dua ta mendoj, larg qoftë të kishte viktima në njerëz.
Por dëmi gjithsesi se është i madh, posaçërisht nëse llogarisim me syrin e çdo qytetari jashta Shqipërisë e që në aktin e mbrëmshëm shikojnë sulm ndaj futbollit shqiptar”.

Quiz: Gjeni lojtarët në foto…

Testoni njohuritë tuaja mbi lojtarët e Premier League...

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency