Emiljano Çela akuzon lojtarë e tij për neglizhencë në sfidën e humbur ndaj Laçit. Ai zbuloi se disa futbollistë e kanë mendjen për të ikur, edhe pse sezoni nuk ka përfunduar.
“Mendoj që rotacioni nuk ishte si nevojë e rezultatit, nuk ka lidhje rotacioni. Lojtarët që u futën kanë luajtur shpeshherë gjatë kampionatit në formacionin e parë. Karakaçin dhe Kainën i futëm në pjesën e dytë. Rezultoi e suksesshme strategjia, por u prish çdo gjë pas dy golave të Laçit.”
Akuza për lojtarët: “Lojtarët nuk po respektojnë veten, mua dhe klubin. Është e pakuptimtë të kenë këtë lloj neglizhence dhe të sillen në këtë mënyrë me mua dhe klubin.”
Qëndrim mosmirënjohës: “Këta lojtarë duhet të kuptojnë diçka: nëse një futbollist ka cilësi, këtë ta vë në pah shpirti i garës dhe grinta. Ndryshe je i dobët. Nuk mendoj se është kjo, janë çështje të tjera. Shumë shpejt këta lojtarë kanë nisur kontaktet me klubet e tjera. Është mungesë respekti. Duhet të dinë që falë këtij klubi dhe falë kësaj fanelle i kanë marrë ato dy-tri telefonata. Janë treguar të vegjël, duhet të ekzistojë edukata e punës, ndryshe kalon te mosmirënjohja.”
