Pas vendimit të marrë nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s për të lënë Rusinë jashtë Kupës së Botës, eventi që do të zhvillohet në Katarit në fund të këtij viti nuk po i shmang dot polemikat. Këto të fundin kanë edhe ngjyrime kinematografike, që evokojnë filmat më të mirë me spiunë, me sfond CIA-n.
Siç zbulohet nga Associated Press, organizatorët e Kupës së Botës i kanë paguar më shumë se 10 milionë dollarë një kompanie të përbërë nga ish-agjentë të CIA-s në mënyrë që të heshtë dhe të ndikojë në shuarjen e kritikave që po merr organizimi i eventit në Katar. Sidomos zërin e Theo Zwanziger, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe ish-president i Federatës Gjermane të futbollit mes viteve 2006 dhe 2012, i cili ka kundërshtuar me forcë dhënien e të drejtës së organizimit të Botërorit vendit arab.
“Kur je i përfshirë në sport dhe u përkushtohesh vlerave të sportit, është një ndjenjë shumë, shumë e çuditshme të shohësh se po të ndjekin dhe po përpiqen të ndikojnë që të mos japësh mendimin tënd”, – tha ish-drejtuesi gjerman në një intervistë shkurtin e kaluar.
Dokumentacioni i paraqitur nga agjencia e lajmeve AP ofron detaje të reja në lidhje me përpjekjet e Katarit për organizuar Botërorin, pavarësisht kritikave të shumta të marra për korrupsion.
