La Liga

Akuza ndaj Barcelonës: Po shesin tym, nuk kanë para për të blerë!

Cila është situata e vërtetë ekonomike e Barcelonës? Një pyetje që e bëjnë shumë, pasi merkato “trazon ujërat” mbi mundësitë e blaugranave për të shpenzuar. Nga njëra anë klubi po bën gjithçka për të arkëtuar para të freskëta, madje duke shkuar deri aty sa të japë me qira Camp Nou për të luajtur ndeshje mes miqve apo si seli martesash, por nga ana tjetër tratativat flasin për emra me peshë si ai i Robert Lewandowski apo Bernardo Silva.

Por si është e vërteta? A mund t’i sjellë klubi Xavit lojtarë të rinj? Sipas Toni Freixa, ish anëtar i bordit drejtues dhe kandidati që humbi zgjedhjet për postin e Presidentit vitin e kaluar, përgjigja është jo. Avokati katalanas e bëri provokimin përmes Twitter, një prej platformave virtuale në të cilën merkato e Barcelonës duket shumë aktive, me disa emra që shoqërohen me blaugranat, por Freixa çon një paralajmërim që nuk do t’ju pëlqejë shumë tifozëve të Barçës teksa shkruan. “A e dini se Lewandowski, apo Kounde, apo Raphina, apo Bernardo Silva nuk do të vijnë? E dini apo jo? ”

Një frazë që tingëllon si një sulm i qartë ndaj Joan Laporta-s, fituesit të zgjedhjeve të vitit të kaluar që shpjegoi se pas pak ditësh priten të reja në aspektin ekonomik për Barcelonën, duke lënë të kuptohet se merkatoja blaugrana është gati të nisë. Një ide që Freixa nuk e pranon, siç demonstrojnë edhe deklaratat që lëshoi në një nga emisionet sportive në Spanjë.

“Nuk besoj te gjithë këto fjalë për blerje nga ana e Barcelonës. Ata thjesht po “shesin” tym. Ato që thonë janë në kundërshtim me realitetin, dhe mua më duhet të paralajmëroj njerëzit që ato që thonë drejtuesit e Barcelonës nuk do të realizohen. Një lojtar mund të vijë nëse ikën dikush tjetër, por thjesht kur thua do vijë Bernardo Silva shet më shumë. Nëse duan t’u fusin ide të çuditshme në kokë njerëzve le ta bëjnë, por unë nuk ju besoj. Për këtë arsye shkoj kundër rrymës, por për Barcelonën është më e lehtë të krijojë iluzione”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency