Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Alcaraz-Djokovic, dueli në distancë për numrin 1 në botë

Pas disfatës së rusit Daniil Medvedev në finalen e madhe të Indian Wellsit tani tenisti më në formë i këtij sporti me të drejtë konsiderohet spanjolli Carlos Alcaraz, i cili falë triumfit në Mastersin Kalifornian u katapultua menjëherë në vendin e parë, në klasifikimin e përgjithshëm ATP.

Falë suksesit në Coachella Valley 19-vjeçari nga Murcia regjistroi fitoren e 14 në 15 sfidat e fundit, duke zbritur në këtë mënyrë nga froni i këtij sporti pikërisht tenistin ballkanas Novak Djokovic.

Siç dihet Nole nuk u lejua që të shkelë në tokën amerikane, për të marrë pjesë në Mastersin e Indian Wells-it, për shkak të refuzimit për të bërë vaksinën kundër virusit Covid – 19, gjë solli edhe vendimin e autoriteteve shëndetësore vendore për t’i mohuar veteranit serb hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Asgjë nuk ndryshoi as gjatë javës së kaluar, e një vendim i tillë mbeti në fuqi, kështu që Nole për pasojë është i shtrënguar për të mos marrë pjesë as në turneun tjetër, që kompleton të ashtuquajturit “Sunshine Masters”.

Djokovici që kishte triumfuar plot pesë herë në Mastersin Kalifornian krenohet gjithashtu edhe me gjashtë tituj të marrë në Mastersin e Floridës, sidoqoftë tani është e qartë që me formën e shkëlqyer që po përjeton Alcarazi i ka të gjitha mundësitë për të bërë “double”, duke mbrojtur me sukses edhe trofeun e vitit të kaluar në Miami Gardens.

Lexo edhe:

Të vetmen humbje Alcaraz e ka pësuar në javën e fundit të muajit shkurt, kur gjithsesi tenisti i talentuar spanjoll hodhi në erë avantazhin e një seti dhe të një game me break, madje edhe në setin e tretë sportisti i mirënjohur nga Murcia e theu që në start në servis britanikun Cameron Norrie, që megjithatë ia doli mbanë për të rikuperuar gjithçka, për të fituar takimin final të turneut të Rio de Janeiro-s 7-5 në setin përcaktues, pas një loje tepër emocionuese që zgjati afërsisht dy orë e trecerek.

Pasi mposhti kundërshtarë si Thanasi Kokkinakis, Tallon Griekspoor e Jack Draper, Alcaraz mori përpara me radhë gjithashtu pa humbur asnjë set edhe tri tenistë të tjerë të njëmbëdhjetëshes më të mirë në planet, si Felix Auger – Aliassime, Jannik Sinner dhe Daniil Medvedev.

Pas humbjes 6-4, 6-4 që 35-vjeçari nga Serbia pësoi në fazën gjysmëfinale në Dubai Djokovici frenoi kështu në një bilanc për sa i përket vitit 2023 me 15 fitore dhe vetëm një humbje, sidoqoftë me sukseset në Adelaide dhe Australian Open Nole përfaqëson tenistin më të suksesshëm të këtij sezoni me 2.430 pikë gjithsej, pra thjesht 390 pikë më shumë se sportisti rus Daniil Medvedev, ndërsa Alcaraz në këtë klasifikim të veçantë të pikëve të grumbulluara që nga fillimi i janarit e këtej pozicionohet në vendin e tretë, me plot 870 pikë më pak se Nole.

Finalja e Indian Wells-it konsiderohej si e barabartë, për vetë mënyrën se si u paraqit në finale 27-vjeçari moskovit, megjithatë Alcarazi e dominoi nga fillimi në fund sportistin rus, për t’i dhënë fund kështu edhe ecurisë së shkëlqyer të Medvedevit.

Në Indian Wells raketa e parë e Rusisë u thye tri herë në servis dhe nuk pati asnjë mundësi për break, duke u mundur për rrjedhojë thellë 6-3, 6-2 në vetëm 71’ lojë, e në këtë mënyrë ecuria e Medvedevit u ndal në 19 fitore rresht.

Në pengesën e fundit përveç erës së fortë sportisti rus vuajti edhe pasojat e dëmtimit të pësuar në turin e katërt, me gjermanin Alexander Zverev, apo dhe problemet që pati gjithashtu në gishtin e madh në duelin e raundit çerekfinal me spanjollin Alejandro Davidovich Fokina.

Deri tani tenisti moskovit është më i suksesshmi në këtë sezon, me tre trofe të fituar në këto tre muajt e parë të vitit në Rotterdam, Doha dhe Dubai.

Në krahun tjetër Carlos Alcaraz ka triumfuar në Buenos Aires dhe Indian Wells, duke i rimarrë fronin Djokovicit pas vetëm shtatë javëve.

Nole e mbajti numrin 1 të botës në këtë sezon për ekzaktësisht 49 ditë, gjithsesi pas turneve të fituar në Miami dhe Madrid Indian Wellsi bëhet aktiviteti i tretë Masters i fituar nga tenisti i ri spanjoll në karrierë.

Alcaraz, i cili e humbi numrin 1 të botës përkohësisht në fundin e muajit janar, pas suksesit të 10 të Djokovicit në Australian Open, kompeticion ku mbi të gjitha sportisti nga Murcia mungoi për shkak të një dëmtimi u bë kështu vetëm tenisti i dytë në histori, pas bashkëkombasit të tij Rafael Nadal, që ia del mbanë për të koleksionuar tre tituj në kategorinë e turneve Masters 1000 si adoleshent.

Në Miami Open Alcarazi ka  plot 1.000 pikë për të mbrojtur, sidoqoftë duke pasur parasysh faktin që avantazhi i tij në renditjen e përgjithshme botërore është vetëm 260 pikë kundrejt Noles është e qartë që sportistit iberik i duhet patjetër të mbrojë me sukses trofeun në Hard Rock Stadium, përndryshe në çatinë e botës do të rikthehet shpejt e shpejt veterani ballkanas Djokovic që nuk ka aspak pikë për të mbrojtur, sepse siç dihet ai nuk mori pjesë në Florida as në edicionin e shkuar.

Përveç Noles në Miami do të mungojë gjithashtu edhe Nadali, i cili nuk ishte i pranishëm as në sezonin e kaluar.

Në edicionin e 38 të Mastersit të Miamit nuk do të marrin pjesë gjithashtu as emra të tillë si Pablo Carreno Busta, Marin Cilic, Nick Kyrgios, Sebastian Korda dhe Tallon Griekspoor, që vuajnë probleme fizike.

 

Në mënyrë të kuptueshme Carlos Alcaraz përfaqëson raketën e parë të turneut dhe në krahun e tij do të ketë finalistin e edicionit të kaluar, norvegjezin Casper Ruud, të cilin e mundi vjet 7-5, 6-4, ndërsa në anën e poshtme numri 2 i turneut Stefanos Tsitsipas mund të përballet herët apo vonë pikërisht me rusin Daniil Medvedev, që pas finales në Indian Wells ku sportisti moskovit humbi mundësinë për të koleksionuar trofeun e pestë Masters në karrierë ai u përmirësua me një pozicion, për t’u ngjitur në vendin e pestë në rruzull në klasifikimin e përgjithshëm.

Në renditjen botërore tani bën përshtypje dalja jashtë dhjetëshes së parë e fituesit të 22 titujve Slam Rafael Nadal, gjë që nuk ndodhte që nga muaji prill I vitit 2005, për një ecuri prej plot 912 javësh radhazi në Top 10.

Rafa i cili për momentin pozicionohet i 13 në planet me vetëm 2.715 pikë në total mungon që nga muaji janar, kur vuajti një dëmtim në këmbën e majtë, duke u eliminuar për rrjedhojë që në turin e dytë, në takimin me amerikanin Mackenzie McDonald, gjithsesi si Rafa ashtu edhe Nole pritet që të kthehen muajin e ardhshëm në Mastersin e radhës, që do të fillojë javën e dytë të muajit prill në Monte Carlo.

Lajme të tjera

Itali

Romelu Lukaku nuk është një nga lojtarët e konfirmuar për organikën e sezonit të ardhshëm tek Inter. Sulmuesi belg do të rikthehet në Londër...

Kombëtare

Shqipëria e minifutbollit shkruan historinë në Essen të Gjermanisë, duke e kaluar për herë të parë fazën e grupeve. Kuqezinjtë e trajnerit Irtan Sejko...

Sport

Suedia është bërë vendi i parë në botë që ka regjistruar zyrtarisht seksin si sport. “Si çdo sport tjetër, arritja e rezultateve të dëshiruara...

Merkato

Raphaël Guerreiro e mbylli mes lotësh aventurën 7-vjeçare me Borussia Dortmund. Anësori i majtë portugez, shpresonte të largohej me titull dhe festë, por dëshira...