Eksperienca e parë nuk harrohet. Këtë kishte parasysh edhe Rauf Aliyev, që në moshën 28-vjeçare vendosi të luajë për herë të parë jashtë Azerbajxhanit. Përpara se të firmoste te Kukësi, sulmuesi kërkoi informacion të detajuar rreth Shqipërisë dhe futbollit në vendin tonë. Një ide e kishte, sepse te Qarabagu ka luajtur një sezon përkrah Ansi Agollit, ndërsa në vitin 2011 i ka shënuar Kombëtares shqiptare në miqësoren që Azerbajxhani fitoi në Tiranë.
Por, për ta bindur se kalimi në Kategorinë Superiore do të ishte një lëvizje e mirë shërbyen fjalët e Pero Pejiç dhe Nderim Nexhipit, pasi me ish-kapitenin e Partizanit, Aliyev ka luajtur te Qarabagu. Pas konsultave me Pejiç dhe Nexhipin marrja e vendimit ishte më e lehtë. Pas një karriere të kaluar në nivelin më të lart të futbollit azer, duke mbrojtur ngjyrat e disa prej skuadrave më të rëndësishme, mes të cilave edhe Neftchi Baku e Inter Baku, Rauf Aliyev kërkonte një aventurë të re në Europë.
Pikërisht kjo ishte arsyeja përse lojtari i përfaqësueses së Azerbajxhanit uli pretendimet financiare, duke pranuar të firmosë te Kukësi me gjysmën e pagës që kërkoi fillimisht. “Paratë nuk janë problem, unë dua thjesht të ndryshoj ambient dhe të luaj jashtë Premierligës azere” ishte qëndrimi i Aliyev në bisedat me kampionët e Shqipërisë.
Nga ana e tyre, edhe te Kukësi u interesuan për kualitetin e sulmuesit. Trajneri Milinkoviç shfrytëzoi miqësinë me asistentin e Inter Bakusë, skuadrës së fundit të Aliyev, i cili e këshilloi që nëse do ta kishte mundësinë ta afronte menjëherë në skuadër, pasi sulmuesi garanton kualitet dhe gola. Tipare që 28-vjeçari duhet ti tregojnë në fushë dhe të cilat Kukësi i kërkon për të mbrojtur titullin kampion.
