“Tre vite të mrekullueshme”. Kështu e konsideron eksperiencën e tij në krye të Juventusit Massimiliano Allegri. Sipas 50-vjecarit, edhe pse bardhezinjtë nuk arritën të triumfonin në Champions, fakti që kanë shkuar dy herë në finale është mjaft domethënës.
“Kemi arritur dy herë në finale dhe kjo nuk është pak. Herën e parë ishte disi e papritur, ndërsa në rastin e dytë kundër Realit të Madridit kishim shpresa për ta fituar. Nuk të ndodh shpesh që të luash në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Nuk është një objektiv, por një ëndërr për të cilën duhet të punosh shumë dhe për një kohë të gjatë. Qëllimi i Juventusit është të jetë në një pozicion të qëndrueshëm në majën e futbollit europian.”
Allegri më pas iu përgjigj edhe një pyetjeje për jetëgjatësinë e Buffonit në futboll.
Është një futbollist i vecantë. Prej 20 vitesh konsiderohet portieri më i mirë në botë. Të etiketohesh më i miri i Championsit në moshën 39-vjecare, është dicka e pazakontë. Për mendimin tim, sekreti qëndron në faktin se ai i përjeton gjërat sikur të ishte një djalë i ri.
