Emisioni “Analizë KUQ E ZI”, që zhvillohet çdo të hënë (18:00) në SportNews nën drejtimin e gazetarit Sokol Xhihani dhe Fation Bardhit, videoanalisti i Kombëtares U19, u ndal edhe te Kristjan Asllani.
Mesfushori i talentuar i kombëtares shqiptare, ishte lojtari më i mirë i ndeshjes Inter-Parma (2-1), i vlefshëm për raundin e 1/8-ve të Kupës së Italisë.
20-vjeçari dha një kontribut të madh në kualifikimin e ekipit zikaltër. Asllani realizoi saktë 86% të aksioneve, ndërkohë që pasimet e sakta në drejtim të shokëve ishin në masën 88%.
Mesfushori fitoi 57% të dueleve, ndërkohë që u shfaq aktiv edhe në duelet ofensivë të fituara. Asllani rikuperoi 6 topa, teksa dha edhe një pasim kyç, duke nisur aksionin e golit të dytë të Interit.
ÇFARË THA ASLLANI PAS NDESHJES ME PARMËN – “Misioni u krye me sukses. Jemi të lumtur që arritëm të kalojmë në raundin tjetër. E dimë që ndeshja e parë në Kupën e Italisë është gjithmonë e vështirë. Pjesa e parë nuk ishte aty ku duhej, pasi ishim të ngadaltë në manovrat tona, por në fraksionin e dytë reaguam dhe arritëm të ndryshonim rezultatin.
“E pata të vështirë që të gjeja hapësira në fillim, diçka që është normale kur përballë ke një skuadër që luan e mbyllur pas. Në pjesën e dytë ata na lejuan më shumë hapësira dhe unë arrita që t’i shfrytëzoja mundësitë e mia. Ndihem mirë që e ndihmova ekipin dhe shpresoj që të vijoj me të njëjtin ritëm”.
