Abissnet Superiore

Analizë Superiore/ Vllaznia dhe Partizani nuk shfrytëzojnë dominimin, Laçi godet më shumë portën

Në emisionin Analizë Superiore të drejtuar nga Sokol Xhihani dhe me prezencën e video-analistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi janë zbuluar edhe statistikat e pesë ndeshjeve të javës së 17-të Kategorisë Superiore. Ajo që bie në sy është fakti që Vllaznia dhe Partizani nuk ia kanë dalë të konkretizojnë dominimin e tyre respektivisht ndaj Egnatias dhe Kastriotit.

Shkodranët që luanin në shtëpi u ndalën përballë rrogozhinasve në një barazim 1-1, teksa pavarësisht se e kontrolluan topin në masën 71% dhe shënjestruan kuadratin në shtatë raste sërish nuk konkretizuan në mënyrën e duhur. Sakaq, kuqeblutë ishin ndjeshëm superiorë edhe në aspektin e pasimeve teksa kryen 510 pasime të sakta ndaj 160 të Egnatias.

Nga ana tjetër, Partizani u ndal në një barazim pa gola (0-0) ndaj Kastriotit, teksa të kuqtë gjetën në pesë raste kuadratin e Salit, por pa shënjestrën e duhur. Ndërkaq, krutanët treguan luftë të lartë sportive dhe kjo dëshmohet nga duelet e fituara të cilat janë 116, një më shumë se kryeqytetasit (115).

Një tjetër sfidë që spikati në këtë javë ishte derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Tiranës të fituar nga bardheblutë me rezultatin 0-1. Sa i takon statistikave të ndeshjes, të dyja skuadrat gjuajtën në 11 raste drejt kuadratit, por Tirana ishte më e saktë në shënjestër duke e gjetur portën e Simonit në pesë raste. Ndërkaq, në pasimet e sakta në fushë, Dinamo ishte superiore teksa kompletoi 396 pasime të sakta nga 351 të Tiranës. Sakaq, të besuarit e trajnerit Shehi ishin më mirë në pjesën e topave të humbur duke qenë se gabuan në 96 raste ndaj 109 të Dinamos.

Ndërkohë, Kukësi ia doli të fitonte ndaj Skënderbeut falë një goli të Vasil Shkurtajt. Në fakt, verilindorët edhe pse të mbetur me 10 vetë në pjesën e parë, ia dolën të dominonin takimin ndaj korçarëve. Kukësi ishte në zotërim të topit në masën e 71% ndërsa kompletuan 631 pasime të sakta ndaj 206 të bardhekuqve.

Sakaq, një sfidë e cila dhuroi shumë gola ishte ajo mes Teutës dhe Laçit e përfunduar me rezultatin 2-4 në favor të kurbinasve. Sa i takon statistikave të ndeshjes, Laçi ishte më mirë në aspektin e zotërimit të topit, ndërsa në 10 raste gjetën kuadratin e portierit Qirko. Ndërkaq, kurbinasit ishin superior edhe në duelet e fituara në fushë e në driblimet e realizuara me sukses.

Quiz: Gjeni lojtarët në foto…

Testoni njohuritë tuaja mbi lojtarët e Premier League...

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency