Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Andi Murray: Fitimi i një tjetër slam-i, mision tepër i vështirë

Andy Murray mendon se fitimi i një tjetër titulli të madh Slam mbetet një mision tepër i vështirë, në këtë fazë përmbyllëse të karrierës. Pas eliminimit në US Open tenisti britanik u shfaq shumë i zhgënjyer dhe 33-vjecari skocez shpjegoi se gjërat kanë ndryshuar dhe tani për të është pothuajse e pamundur për të fituar një tjetër trofe, përsa i përket turneve të Grand Slam-it. Të premten në të gdhirë veterani britanik u eliminua në New York nga një tenist 13 vjet më i ri.

Në turin e dytë të edicionit të 140 të Slam-it Amerikan, Murray u paraqit në Stadiumin Arthur Ashe me 3 trofe të mëdhenj, ndërsa në krahun tjetër të rrjetës zbriti numri 21 I botës, kanadezi Felix Auger – Aliassime, që krenohej me vetëm tre ndeshje të fituara gjithsej në katër turnetë Slam. Tenisti me origjinë nga Togo ishte I papërmbajtshëm dhe u tregua i pamëshirshëm, teksa prodhoi 24 ace dhe plot 52 goditje fituese, duke mos I dhënë asnjë mundësi për break tenistit skocez, ndërsa në anën tjetër numri 115 i klasifikimit të përgjithshëm ATP u tregua tepër pasiv dhe e përfundoi takimin me 9 goditje fituese dhe 20 gabime.

Në fundin e ndeshjes për mikrofonin e ish-tenistit Brad Gilbert Auger – Aliassime kujtoi se në vitin 2011 kur e vizitoi për herë të parë Kompleksin Billie Jean King, në Flushing Meadows në moshën 11-vjecare u ul për të parë ndeshjen Andy Murray – Feliciano Lopez, ndërsa tani nëntë vjet më vonë vijoi fjalën e tij tenisti tepër i talentuar kanadez ngjan si një çmenduri, që jo vetëm zbriti për t’u përballur në fushën qendrore në US Open ndaj Andy-t por gjithashtu ishte edhe në gjendje për ta mposhtur atë.

Natyrisht që shumë influencoi edhe freskia fizike e tenistit kanadez, sepse Murray zbriti në fushë pas një ndeshje sfilitëse, me pesë sete ndaj numrit 49 të botës Yoshihito Nishioka, që zgjati plot 4 orë e 40 minuta, gjithsesi 33-vjeçari nga Glasgow u shfaq i pafuqishëm dhe bëri fare pak rezistencë, e në këtë mënyrë Andy i dha lamtumirën këtij edicioni jubilar, përsa i përket ndeshjeve në singles, duke humbur takimin 6-2, 6-3, 6-4 në diçka më tepër se dy orë lojë. Është e qartë që kohët për të kanë ndryshuar dhe shumë kanë ndikuar padyshim edhe problemet e shpeshta fizike si dhe dëmtimet e rënda që ka pësuar në karrierë, sidomos këto vitet e fundit, pa harruar gjithashtu edhe largimin e trajnerit të tij të famshëm Ivan Lendl. Që nga pjesëmarrja në Wimbledon në vitin 2017 Andy Murray ka luajtur në vetëm tre turne Slam gjithsej.

Pas eliminimit të shpejtë me kanadezin Felix Auger – Aliassime gjithsesi tenisti skocez deklaroi se do të vazhdojë të përpiqet dhe nuk ka ndër mend të heqë dorë nga ëndrra për të fituar një tjetër turne të madh. Andy është moshatar me numrin 1 të botës Novak Djokovic, madje Murray është vetëm një javë më i madh se sa Nole. Të dy e njohin shumë mirë njeri – tjetrin dhe madje konsideroheshin si tenistë me karakteristika të përafërta, që do të kishin pak a shumë të njëjtën ecuri, por në fakt ngjarjet rrodhën krejt ndryshe dhe tenisti serb është pranë trofeut të 18 Slam në karrierë, ndërsa tenisti britanik pavarësisht famës ka mbetur te thjesht tre të tillë: dy tituj në All England Club në vitet 2013 e 2016, ku mundi pastër 3-0 emra si Novak Djokovic dhe Milos Raonic, ndërsa në Shtetet e Bashkuara në vitin 2012 Andy mposhti Nolen, në një finale me plot pesë sete.

Pjesëmarrja në Flushing Meadows sivjet është e para për të në ndeshjet “singles” në një turne të madh, që pas operacionit në pjesën e ijeve në janarin e vitit të kaluar. Për hir të së vërtetës dëmtimet në pjesën e ijeve e kanë persekutuar tenistin britanik, që pati një ndërhyrje kirurgjikale për një problem të ngjashëm që në janarin e vitit 2018. Pas disfatës me tenistin kanadez Murray shpjegoi se i duhet patjetër që të përmirësohet në aspektin fizik, në mënyrë që të përballojë siç duhet një ndeshje me pesë sete. Andy shtoi se tani gjithçka është më e vështirë, duke patur parasysh që shumë tenistë shërbejnë me shpejtësi deri 220 – 225 km/h. Në fund tenisti skocez tha se është i kënaqur me paraqitjet e tij në këto dy javët e fundit, në Mastersin Western & Southern Open si dhe turneun Slam të New York-ut, kështu që gjatë javës së ardhshme ai do të mundohet të rikuperojë dhe të stërvitet, për t’u përgatitur sa më mirë që të jetë e mundur, për Slam-in Parizien që do të zhvillohet në Kompleksin Roland Garros, në kryeqytetin francez në fundin e këtij muaji.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...