Drejtuesit e Australian Open i bëjnë ftesë tenistit të mirënjohur britanik, Andy Murray.Siç dihet, edicioni i 109-të i turneut të parë të madh të sezonit u shty tri javë për shkak të masave të forta shtrënguese që kanë vendosur organizatorët e këtij kompeticioni dhe nga 18 janari gjithçka do të startojë më datën 8 shkurt. Sezonin e kaluar, Andy Murray u eliminua që në raundin hapës, ndërsa më pas tenisti skocez iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në ije. Në këtë mënyrë 33-vjeçari britanik do të hyjë në shortin kryesor të Slamit Australian, një turne shumë i rëndësishëm, ku natyrisht ka një kontribut të veçantë edhe vetë tenisti skocez.
Dy vjet më parë Murray pati deklaruar pikërisht në “Melbourne Park” se ndoshta ishte viti i tij i fundit në aktivitet, sidoqoftë Andy gëzon një mbështetje të madhe në këtë pjesë të globit falë edhe 5 finaleve të luajtura përgjatë dekadës së fundit. Në Australian Open, Murray është mposhtur fillimisht në finalen e vitit 2010 nga Roger Federer, ndërsa në vitet 2011, 2013, 2015 e 2016 tenisti britanik është mundur pikërisht në ndeshjen përcaktuese të titullit nga tenisti nga Serbia Novak Djokovic.
Murray i cili ka vuajtur vazhdimisht gjatë këtyre viteve të fundit për shkak të dhimbjeve në ije, u eliminua në janarin e vitit 2019 në pesë sete nga spanjolli Roberto Bautista Agut dhe për nder të tij organizatorët shfaqën në një ekran të madh në Melbourne Park një film për karrierën dhe arritjet e tenistit britanik.
Drejtori i Turneut, Craig Tiley, tha se në Australi të gjithë e presin krahëhapur një tenist si Murray. Momenti i paralajmërimit të tërheqjes së Murray-t bëri përshtypje dhe ishte sa i veçantë po aq edhe emocionues, kështu që, sipas Tiley-t, rikthimi i tij me shumë gjasa do të përfaqësojë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të edicionit të ri në Australian Open.
Aktualisht, Andy Murray renditet i 122-ti në botë, pra vetëm pak pozicione larg hyrjes së drejtpërdrejtë në shortin kryesor të këtij kompeticioni. 33-vjeçari ka pranuar ftesë për të marrë pjesë gjithashtu edhe në turneun e përvitshëm që zhvillohet në Florida në Delray Beach, në javën e parë të muajit janar. Andy u shtrëngua për të luajtur vetëm 7 ndeshje gjithsej, për arsye të një dëmtimi si dhe ndalimit apo anulimit të aktiviteteve të shumta tenistike, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjatë muajit dhjetor Murray tregoi një formë shumë të mirë, teksa mposhti pa humbur asnjë set dy britanikët Dan Evans e Cameron Norrie.
Tenisti skocez ka deklaruar së fundi se ndihet mirë dhe ka besim se është ende në gjendje për të fituar ndeshje të mëdha, nëse do të shmangë dëmtimet dhe nuk do të ketë probleme fizike. Ai pranoi se është stërvitur në mënyrë intensive në palestër dhe është duke iu nënshtruar një regjimi të fortë, pak a shumë njësoj siç bëjnë edhe boksierët kur janë në prag të një dueli të veçantë.
