Connect with us

Hi, what are you looking for?

Nations League

Angli-Kroaci, në “Wembley” vendoset fati i grupit, Spanja “lutet” për “x”

Katër muaj pas disfatës së pësuar në gjysmëfinalen e kampionatit të fundit botëror, Anglia do të përballet sërish me përfaqësuesen e Kroacisë, në takimin përmbyllës të Ligës së Kombeve, përsa i përket fazës së grupeve. Ndeshja do të zhvillohet në Londër, në orën 15:00, në tempullin e futbollit anglez, dhe është i vlefshëm për Grupin 4 të Divizionit A, grup ku tashmë Spanja nuk e kontrollon më aspak tabelën e klasifikimit.

Kështu, ndonëse ekipi i Luis Enriques kryeson renditjen me 6 pikë, llogaritë janë shumë të qarta, pasi kombëtarja që fiton duelin londinez do të kualifikohet vetvetiu mes katër skuadrave më të mira përfaqësuese në divizionin e parë dhe më të rëndësishmin në Kontinentin e Vjetër, ndërsa kombëtarja që humbet zbret një kategori më poshtë.

Gjërat nuk filluan mirë për nënkampionët e botës në aventurën e tyre në Nations League, megjithatë triumfi i jashtëzakonshëm që Kroacia siguroi të enjten në mbrëmje në Zagreb ndaj Spanjës përmbysi plotësisht situatën dhe tani në këtë grup befas Kroacia dhe Anglia janë në kuotën e katër pikëve, kështu që shpresa e vetme për ekipin e Luis Enriques për të kaluar në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë është që ky takim të përfundojë në barazim.

Skuadra e Gareth Southgate paraqitet e shplodhur, pasi ditën e enjte “Tre Luanët” fituan takimin miqësor me Shtetet e Bashkuara, sfidë u tërhoq përfundimisht nga kombëtarja golashënuesi më i mirë në histori, Wayne Rooney. Në krahun tjetër trajneri Zlatko Dalic nuk është se ka shumë alternativa, për më tepër që në Londër do të mungojë një ndër futbollistët më të mirë kroatë, mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, sidoqoftë Kroacia nuk është një ekip për t’u nënvlerësuar, madje vendasit kanë kujtime të tmerrshme me një kundërshtar të tillë, sepse 11 vjet më pare, kur Anglia drejtohej nga Steve McCLaren, u eliminua nga faza finale e Euro 2008 nga Kroacia e trajnerit Slaven Bilic, që fitoi brenda në Wembley me një gol të paharruar të shënuar nga sulmuesi Mladen Petric 13′ para fundit.

Po në Divizionin A, në orën 20:45, do të luhet gjithashtu edhe takimi tjetër Zvicër – Belgjikë, i vlefshëm për Grupin e Dytë të këtij divizioni. Natyrisht, është e kuptueshme që ky takim do të jetë gjithashtu përcaktues edhe për fatin e këtij grupi, pasi Belgjika kryeson në kuotën e 9 pikëve, me tre pikë më tepër se sa Zvicra. Në Bruksel, një muaj më parë përfaqësuesja helvete u mund 2-1, pas golit të shënuar nga Lukaku 6′ para përfundimit, gjithsesi këtë herë Zvicrës i mjafton qoftë edhe një fitore minimale për të vazhduar më tej, në fazën e knock out-it.

Në Divizionin C luhet thjesht për statistika takimi Greqi – Estoni. Tri ditë më parë përfaqësuesja helene kishte plot 70′ në dispozicion për t’i shënuar edhe një gol të dytë Finlandës, për të barazuar të paktën humbjen 2-0 që pësoi në Tampere muajin e kaluar, sidoqoftë skuadra nordike u mbrojt shkëlqyeshëm dhe ruajti me fanatizëm rezultatin, duke garantuar kualifikimin për në turin tjetër, ndërsa Greqisë kështu nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të shfryjë dufin për eliminimin, në orën 20:45, në Athinë, në Stadiumin Olimpik ndaj Estonisë.

Në Supersport do të ketë hapësirë gjithashtu edhe për Spanjën, kombëtare që numëron plot tre tituj kontinentalë në rang përfaqësuesesh. Pas dy humbjeve radhazi me rezultat të njëjtë 3-2, respektivisht me Anglinë dhe Kroacinë, skuadra e Luis Enriques do të masë forcat në orën 20:45 në Ishujt Kanarie me Bosnjë Hercegovinën, për më tepër falë barazimit në Vjenë ekipi i drejtuar nga Robert Prosinecki siguroi vetëm pak ditë më parë edhe ngjitjen në Divizionin A të Ligës së Kombeve.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...