Connect with us

Hi, what are you looking for?

Atletikë

Anulohet përfundimisht Maratona e Parisit

Përgatiti: Alked Gjebrea

Anulohet përfundimisht Maratona e Parisit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Maratona e përvitshme në kryeqytetin francez konsiderohet si një ndër garat më të famshme të kësaj disipline në rruzull dhe ishte programuar si zakonisht për t’u mbajtur në një nga të dielat e muajit prill, më saktë më datë 5 prill, por gjithçka u shty nga organizatorët për një tjetër datë dhe për një kohë më të mirë, pas shpërthimit të pandemisë së Koronavirusit, që u përhap me shpejtësi dhe la pasoja edhe në këtë vend të Kontinentit të Vjetër.

Drejtuesit më të lartë të këtij aktiviteti fillimisht vendosën shtyrjen për në datën 15 nëntor, megjithatë, duke parë edhe zhvillimet më të fundit, organizatorët vendosën për ta anuluar përfundimisht Maratonën e Parisit për vitin 2020. Bashkë me Berilinin dhe Londrën Maratona e Parisit është një ndër tri maratonat më të rëndësishme në Kontinentin Evropian dhe vendimi i komitetit organizator është i kuptueshëm, duke parë edhe përshkallëzimin e pandemisë së Koronavirusit në Francë, gjatë këtyre ditëve të fundit.

Franca përfaqëson shtetin e 20-të më të prekur në glob nga virusi COVID-19 dhe deri ditën e martë në këtë vend janë regjistruar plot 204.172 të infektuar, prej të cilëve 30.354 kanë humbur jetën, gjithsesi vlen të theksohet fakti që vetëm këtë ditë numri i të prekurve nga pandemia e koronavirusit u shtua me plot 1.397 persona.

Çdo vit, në maratonën e famshme të kryeqytetit francez marrin pjesë afërsisht 50.000 vetë. Në Maratonën e Parisit numri i pjesëmarrësve është i kufizuar. Kështu edicionin e kaluar gjatë vitit 2019 morën pjesë 49.155 vetë dhe si për meshkuj ashtu edhe për femra ngadhënjyen atletët etiopianë. Abrha Milaw fitoi për meshkuj, ndërsa te femrat triumfoi Gelete Burka. Organizatorët deklaruan se i bënë të gjitha përpjekjet për ta zhvilluar normalisht këtë aktivitet edhe gjatë këtij viti, por për shkak të rrethanave gjithçka u bë e pamundur.

Krerët e Maratonës së Parisit shtuan se e kuptojnë shumë mirë zhgënjimin e të gjithë atyre që kanë sakrifikuar një pjesë të çmuar të kohës së tyre, duke u stërvitur, për të  marrë pjesë në maratonën e programuar për në stinën e vjeshtës, sidoqoftë organizatorët premtuan se ata do të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’i kthyer vrapuesit në rrugët e bukura të kryeqytetit francez.

Maratona e Parisit shquhet për itinerarin e veçantë që përshkojnë pjesëmarrësit, pasi kalon në Champs – Elysees dhe Place de la Concorde. Ashtu siç ndodhi me aktivitetin e Maratonës së Parisit më herët edhe organizatorët e Maratonave në Berlin dhe New York vendosën për të anuluar gjithçka për vitin 2020, gara që ishin programuar respektivisht për në datat 27 shtator dhe 1 nëntor. Javën e kaluar u konfirmua se Maratona e Londrës do të zhvillohet normalisht sipas kalendarit të përcaktuar, më datë 4 tetor, por gjithsesi organizatorët kanë deklaruar se në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar do të përfshihen vetëm atletët elitarë të kësaj disipline.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...