Connect with us

Hi, what are you looking for?

Basketboll

Argjentina kalon në fazën tjetër të Botërorit të basketbollit të meshkujve

Argjentina mundi Nigerinë, duke siguruar kalimin për në fazën e mëtejshme, të kampionatit botëror të basketbollit për meshkuj. Në Wuhan skuadra e drejtuar nga trajneri Sergio Hernandez regjistroi edhe fitoren e dytë, duke mposhtur një rival të drejtpërdrejtë, për të siguruar në këtë mënyrë edhe kualifikimin për në raundin tjetër, që do të zhvillohet sërish me fazë grupesh. Pas suksesit 95-69 në ndeshjen hapëse ndaj Koresë së Jugut, Argjentina mposhti gjithashtu edhe Nigerinë 94-81, ndërkaq ekipi afrikan e mbylli çështjen e kualifikimit që në fazën hapëse, duke patur parasysh që skuadra e drejtuar nga Alexander Nwora u mund me pesë pikë diferencë në takimin e parë me Rusinë. Veterani Luis Scola që luan në Kinë me Shanghai Sharks, udhëhoqi skuadrën drejt një fitoreje tepër të rëndësishme dhe kapiteni e përfundoi takimin me plot 23 pikë e 10 rebound. 39-vjecari nga Buenos Airesi falë eksperiencës së tij kontribuoi në shkëputjen e parë të rëndësishme të skuadrës argjentinase, që e mbylli periodën hapëse me epërsinë e 11 pikëve.

Në 10 minutëshin e dytë Nigeria përforcoi ndjeshëm mbrojtjen dhe e shtrëngoi ekipin latino – amerikan në vetëm 15 pikë. Skuadra afrikane madje në një moment kryesoi me 4 pikë më shumë, gjithsesi dy ekipet shkuan në intervalin mes pjesëve në ekuilibër të plotë 43-43. Në pjesën e dytë basketbollistët e Nigerisë bënë shumë gabime dhe vuajtën si zakonisht egoizmin e tepruar, ndërsa lojtarët argjentinas në krahun tjetër falë lojës kolektive krijuan shkëputjen e duhur, që iu mundësoi edhe fitimin e takimit. Argjentina hyri në periodën përmbyllëse me epërsinë 72-61 dhe në vazhdim skuadra nga Amerika e Jugut administroi me qetësi avantazhin, madje në 10 sekondat e fundit lojtari i Realit të Madridit Facundo Campazzo realizoi edhe dy herë për 3 nga jashtë harkut, për të vulosur përfundimisht fitoren me 13 pikë diferencë. Kapiteni Luis Scola që merr pjesë për herë të pestë në fazën finale të një Botërori, e mbylli takimin me double double në 32 minutat që qëndroi në parket.

Patricio Garino kontribuoi me 17 pikë e 7 topa në tabelë, ndërsa Campazzo e përfundoi ndeshjen me 14 pikë dhe plot 8 asist. Në radhët e Nigerisë spikati 20-vjecari i franchise-t amerikan Minessota Timberwolves Josh Okogie, me 18 pikë e 5 asist. Ditën e mërkurë Argjentina do të përballet me Rusinë, në një duel të drejtpërdrejtë për vendin e parë në Grupin B, ndërsa Nigeria do të masë forcat me skuadrën përfaqësuese të Koresë së Jugut, me objektivin e qartë për të shmangur vendin e fundit në këtë grup.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...