Kombëtarja argjentinase ka mbërritur në Ekuador, ku do të luajë përballë vendasve shanset për kualifikim në botërorin ‘Rusi 2018’. Mesi me shokë janë pritur nën masa të rrepta sigurie, të rrethuar nga forcat special të policisë vendase, ‘të armatosur deri në dhëmbë’. Edhe hoteli ku po qendrojnë argjentinasit, është një fortesë e vërtetë, pasi ruhet gjithashtu nga një numër i madh forcash të armatosura.
Argjentina do të përballet me Ekuadorin, në ndeshjen e fundit të fazës eliminatore, që është përcaktuese për pjesëmarrjen në botëror. Ekipi i drejtuar nga Sampaoli duhet të marrë patjetër tri pikët që të sigurojë minimalisht pjesëmarrjen në Play Off, ndërsa nëse fitorja e tyre kombinohet me rezultate të favorshme në takimet e tjera, ka mundësinë e kualifikimit direkt.
Argjentina aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë, me pikë të barabarta me vendin e pestë dhe një pikë më pak se Kolumbia dhe Kili, që mbajnë respektivisht vendin e katërt dhe të tretë. Ndeshja midis Ekuadorit dhe Argjentinës do të luhet më datë 12 tetor, ora 01:30, me orën shqiptare.
