Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Armando Broja, “shqiponja” kuqezi e vitit, Kosova dështim, largohet Challandes

Viti 2021, përgjithësisht, rezultoi pozitiv për Kombëtaren Shqiptare, e cila përgjatë 12 muajve të fundit ka zhvilluar në total 12 sfida, 10 eliminatore të Botërorit “Katar 2022” dhe dy miqësore. Kuqezinjtë, të drejtuar nga Edy Reja, përmbushën pritmëritë me vendin e tretë (18 pikë, rekord historik për Shqipërinë) në Grupin I, pas Anglisë dhe Polonisë, por duke analizuar ecurinë e Shqipërisë përgjatë kualifikueseve, për shumë të pasionuar të Kombëtares ka një keqardhje të madhe për atë humbje përballë Polonisë në “Air Albania”, që shoi përfundimisht ëndrrën për të luajtur në fazën play off.

Start i pritshëm: Shqipëria e nisi me një fitore disi stresuese 0-1 në fushën e Andorrës me 25 mars, falë golit të Ermir Lenjanit. Tri ditë më vonë, kuqezinjtë humbën në “Air Albania” 0-2 përballë një Anglie të mbushur me “yje”, ndërsa më 31 mars erdhi fitorja e dytë në grup, përballë Andorrës, në transfertë, në shifrat 0-2 (shënuan Manaj dhe Uzuni në pjesën e dytë). Në qershor, kuqezinjtë zhvilluan dy miqësore në transfertë, duke barazuar 0-0 me Uellsin dhe humbur 3-1 përballë Republikës Çeke.

Broja, fenomenal: Në fillim të shtatorit, u luajtën edhe tri takime të tjera eliminatore, në të cilat Shqipëria tregoi nivel tjetër të lojës, që u shoqëruan me rezultate më të mira. Humbja me Poloninë 4-1 në transfertë, në fakt, ishte e pamerituar. Kuqezinjtë shënuan me Cikalleshin dhe zhvilluan volum të madh loje dhe raste në portën e vendësve, por u ndëshkuan sa herë që futbollistët polakë krijonin situata në portën tonë. Vetëm tri ditë më vonë, më 5 shtator, në “Air Albania”, kuqezinjtë triumfuan 1-0 ndaj Hungarisë me një gol të “shpikur” nga Armando Broja, i cili kishte vetëm nëntë minuta në fushë. Edhe në fitoren e thellë të 8 shtatorit, 5-0 ndaj San Marinos, Armando Broja, i hedhur në fushë sapo nisi pjesa e dytë, shënoi një gol dhe dha dy asiste për Laçin dhe Uzunin. Vetëm një muaj më vonë, në ndeshjen me Hungarinë, në Budapest, sulmuesi i Southamptonit realizoi golin historik kundër Hungarisë në transfertë, që vlejti tri pikë dhe ndezi shpresën e kuqezinjve për vendin e dytë.

Shuhet ëndrra për vendin e dytë: Edhe pse kishte shënuar në tri takime radhazi, dy herë ndaj Hungarisë dhe në fitoren e thellë ndaj San Morinos, Edy Reja sërish nuk preferoi t’i jepte një fanellë titullari Brojës ndaj Polonisë në “Air Albania”. E aktivizoi në minutën e 58-të, në vend të Uzunit, por polakët shënuan me Zwiderskin në të 77-të. Ndërprerja e lojës, por edhe mungesat e disa titullarëve për shkak të infektimit me Koronavirus ndikuan në pamundësinë e kuqezinjve për të kthyer ndeshjen. Në sfidat e fundit, në muajin nëntor, Shqipëria pësoi një humbje të rëndë 5-0 përballë Anglisë në Wembley, për ta mbyllur me fitoren stresuese 1-0 përballë Andorrës, me gol te Çekiçit me 11-m.

Kosova dështim, ikën Challandes

Aspak pozitive përvoja e Kosovës në eliminatoret e “Katar 2022”. “Dardanët” e mbyllën Grupin B në vendin e fundit me vetëm 5 pikë, dy më pak se Gjeorgjia, skuadra e vetme së cilës ekipi i drejtuar nga Challandes arriti t’i merrte fitoren në transfertë (0-1), por u mposht nga përfaqësuesja kaukaze në “Fadil Fokrri”, duke rrëshqitur në vendin e fundit. Greqisë, “Dardanet” i morën pikë si në Prishtinë ashtu edhe në Athinë, ndërsa ndaj Suedisë dhe Spanjës pësuan katër humbje. Pas humbjes me Gjeorgjinë, në ndeshjen e parafundit në grup, që përcaktoi edhe pozicionin përfundimtar të Kosovës, Bernard Challandes u shkarkua nga detyra si trajner i “Dardanëve”.

Shqipëri dhe Kosova mësuan kundërshtarët në Ligën e Kombeve

Mbrëmjen e 16 dhjetorit  hodh shorti për edicionin e tretë të Nations League. Shqipëria është shortuar në grupin e skuadrave që garojnë në Ligën B. Shorti i hodhi kuqezinjtë në Grupin 2, bashkë me Izraelin, Rusinë dhe Islandën. Interesant është fakti që Izraeli ka qenë në të njëjtin grup me kuqezinjtë edhe në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, kur trajner ishte Giani De Biasi.

Liga B

Grupi 1: Armeni, Irlandë, Skoci, Ukraina

Grupi 2: Shqipëri, Izrael, Rusi, Islandë

Grupi 3: Mali i Zi, Rumani, Finlandë, Bosnjë & Hercegovinë

Grupi 4: Sllovenia, Serbia, Norvegji, Suedi

Përballje të jashtëzakonshme ndërkohë ka prodhuar shorti në Ligën A, veçanërisht në Grupin C, ku bëjnë pjesë Italia, Gjermania, Anglia dhe Hungaria, ndërsa Grupi B ofron derbin iberik mes Spanjës e Portugalisë dhe Grupi D përballjen mes Belgjikës e Holandës.

Liga A

Grupi 1:  Francë, Danimarkë, Kroaci, Austri.

Grupi 2: Spanjë, Portugali, Zvicër, Çeki.

Grupi 3: Itali, Gjermani, Angli, Hungari.

Grupi 4: Belgjikë, Holandë, Poloni, Uells.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut garojnë në Ligën C të këtij kompeticioni, teksa shorti vendosi “dardanët” në Grupin 2 bashkë me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe ekipin fitues mes Qipros e Estonisë. Kosova bie për të dytën herë radhazi në të njëjtin grup të Ligës së Kombeve me Greqinë, teksa me helenët u përball edhe në eliminatoret e Kupës së Botës, që përfunduan në muajin nëntor të këtij viti.

Liga C

Grupi 1: Ishujt Faroe, Lituani, Luksemburg, Turqi

Grupi 2: Qipro/Estoni, Kosova, Greqi, Irlanda e Veriut

Grupi 3: Kazakistan/Moldavi, Azerbajxhan, Bjellorusi, Sllovaki

Grupi 4: Gjibraltar, Gjeorgji, Maqedonia e Veriut, Bullgari

Liga D

Grupi 1: Letonia, Andorra, Kazakistan/Moldavi, Lihtenshtejn.

Grupi 2: San Marino, Qipro/Estonia, Malta.

Arritje historike për Maqedoninë e Veriut

2021-shi ishte një vit historik për Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, që për herë të parë mori pjesë në një event madhor të Futbollit, siç ishte Kampionati Europian. Në përbërje të kësaj përfaqësueseje ishin 6 futbollistë shqiptare: Ezgjan Alioski, Enis Bardhi, “Buba” Hasani, Arijan Ademi, Visar Musliu dhe Egzon Bejtullai. Maqedonia e Veriut u eliminua që në fazën e grupeve, pësoi tri humbje radhazi: 3-1 më Austrinë, 2-1 me Ukrainën dhe 3-0 me Holandën, me golaverazh të përgjithshëm 8 gola të pësuar dhe dy të shënuar. Golin e parë në Europian e shënoi sulmuesi veteran Goran Pandev, ndërsa të dytin Alioski.

Tjetër arritje e madhe për Maqedoninë e Veriut ishte kualifikimi në fazën play off të Botërorit “Katar 2022”, ku do të përballet Italinë. Skuadra maqedonase e mbyllin Grupin J me 18 pikë, nëntë më pak se Gjermania kryesuese dhe një më shumë se Rumania, duke koleksionuar pesë fitore, tri barazime dhe dy humbje.

 

 

 

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...