Premier League

Arsenali kalon pa probleme Watfordin, Tottenham ngjitet i 3-ti

Fitore e lehtë e Arsenalit në stadiumin “Emirates” përballë Watfordit. “Topçinjtë” e Londrës i shënuan tre gola këtij kundërshtari, duke ndezur disi shpresën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm pas tri humbjeve radhazi me Tottenhamin, Manchester City-n dhe Brightonin.
Shqiptari Shkodran Mustafi i hapi rrugën suksesit të vendasve me një goditje të saktë me kokë në minutën e 8-të.

Në të 59-ën një kundërsulm i shpejtë i Arsenalit u përmbyll me finalizimin e saktë të Aubameyang, që pasi kaloi edhe portierin e pati të lehtë për ta shtyrë topin drejt rrjetës.


Watford pati shansin për ta rihapur takimin në minutën e 61-të, por Deeney u tregua i pasaktë përballë Cech nga pika e bardhë e pënalltisë.
Armeni Mkhitaryan vulosi shifrat në 3-0 në të 77-ën, pasi u shërbye nga Aubameyang. Arsenali edhe pas kësaj fitoreje mbetet në vendin e 6-të me 11 pikë më pak se Chelsea, që mban një pozicion më lart.

Edhe skuadra tjetër londineze, Tottenham mori një fitore të thellë 1-4 në transfertën ndaj Bournemouth. Vendasit kaluan të parët në avantazh, por skuadra e Pochettinos golat e Dele Alli, Aurier dhe dopietën e Son Hueng-Min.

Me këtë fitore, Tottenham ka parakaluar Liverpoolin në renditje dhe tani pozicionohet në vendin e 3-të të renditjes.

To Top