Napoli vazhdon me serinë e rezultateve negative në kampionatin italian, teksa sot nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në “Dacia Arena” përballë Udineses, duke çuar në 7 numrin e ndeshjeve pa fitore në kampionat.
As grumbullimi i urdhëruar nga Carlo Ancelotti nuk bëri efekt te të kaltrit, që sërish sot nuk ishin të qartë në lojën e tyre dhe e mbyllën pjesën e parë në disavantazh, pas golit të shënuar nga Lasagna për skuadrën vendase.
Në pjesën e dytë Ancelotti bëri dy ndryshime në repartin e avancuar, duke hedhur në fushë Llorenten e Younes, për Insignen dhe Lozanon, por golin e barazimit e shënoi mesfushori Piotr Zielinski, në minutën e 69’.
Deri në fund napolitanët kërkuan vazhdimisht golin e fitores dhe krijuan disa mundësi, por nuk u shfaqën të qetë dhe të saktë, duke gabuar disa herë në finalizim dhe duke u detyruar të largohen vetëm me një pikë nga Friuli.
Ky barazim komplikon tej mase pozitat e napolitanëve në renditje, pasi përveçse kanë zeruar shanset për të tentuar titullin kampion, tani janë plot 7 pikë larg zonës Champions, distancë kjo që mund të shkojë në 10, nëse Cagliari fiton nesër.
Kumbulla në stol, Gjimshiti i jep fitoren Atalantës përballë Veronës