Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Asambleja e SHRF Gjirokastër shtyn punimet, Dervishaj: Presionet politike vazhdojnë

Asambleja e Shoqatës Rajonale e Futbollit Gjirokastër nuk arriti sot të zhvillojë punimet sipas axhendës së parashikuar për shkak të ndërhyrjeve politike, që arritën deri në mbylljen e stadiumit Luftëtari ku do të zhvilloheshin punimet dhe presionit të madh ndaj anëtarëve të kësaj shoqate.

Kryetari i SHRF Gjirokastër, Sadik Sadikaj i shoqëruar nga stafi i tij dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, u paraqitën në ambientet e stadiumit për të organizuar mbledhjen, por konstatuan se dyert ishin të mbyllura dhe nuk u lejuan të hynin brenda.

Nga 9 delegatë që ishin autorizuar sipas përcaktimeve ligjore nga anëtarët, 5 prej tyre munguan. Anëtarët e Shoqatës janë shfaqur të tronditur nga trysnia e madhe politike, teksa përfaqësues të qeverisë dhe kryetarët e bashkive të qarkut i kanë kërcënuar se do t’i heqin nga puna ata dhe familjarët e tyre.

Anëtari i KE-së, Arben Dervishaj duke folur për mediet ka shpjeguar të gjithë situatën dhe ka denoncuar presionin politik që po u bëhet anëtarëve të SHRF Gjirokastër. Sipas Dervishajt, statuti i shoqatës e parashikon që Asambleja të shtyhet me 24 orë, teksa theksoi se ky sabotim bëhet vetëm në dëm të futbollit në Gjirokastër.

Jemi këtu për të zhvilluar Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër. Lajmërimet për Asamblenë janë bërë që më përpara, sipas të gjitha afateve të statutit. Edhe klubet janë përgjigjur, duke dërguar delegatët e tyre brenda një periudhe 10 ditore. Ne i kemi administruar ato, i kemi lajmëruar, kemi caktuar dhe jemi dakordësuar me Bashkinë Gjirokastër që mbledhja e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër do të bëhet në ambientet e stadiumit.

Vijmë këtu, një pjesë e delegatëve si rezultat i presioneve të mëdha politike nuk kanë ardhur, por ndërkohë edhe ambientet për zhvillimin e Asamblesë nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo do të ishte një Asamble e zakonshme në të cilat në fund të fundit do të diskutoheshin çështje siç është miratimi i buxhetit të SHRF Gjirokastër”, – tha Dervishaj.

Ishte një buxhet, i cili kishte të bënte me kostot që duhen për të organizuar këtë shoqatë, si dhe me pagesat e trajnimit e të tjerat, të cilat Federata ka vendosur për të gjithë zonat rajonale, që trajnerët që trajnojnë ekipet e fëmijëve do t’i paguajë Federata dhe fëmijët nuk do të paguajnë asnjë lloj pagese për t’u stërvitur nga këta trajnerë, si dhe për elementë të tjerë të bazës materiale, të cilat do të miratoheshin në këtë buxhet.

Na vjen keq që nuk po bëhet. Ne do të veprojmë ashtu siç e parashikon statuti. Brenda 24 orëve, do të organizohet një Asamble tjetër. Kështu e parashikon statuti i Shoqatës Rajonale dhe brenda 24 orëve ne do t’i lajmërojmë edhe njëherë anëtarët për të qenë pjesëmarrës në Asamble, sepse në fund të fundit, këtu nuk humbet asnjë tjetër përveçse humb futbolli i Gjirokastrës”, – u shpreh anëtari i KE-së së FSHF-së.

I pyetur nga media nëse ka pasur ndikime nga politika dhe a është e vërtetë që ka qenë e përfshirë vetë ministrja Kumbaro në bllokimin e punimeve të Asamblesë, Dervishaj u përgjigj:

Nuk merrem me vizitat e ministrja apo ministrat, ajo që ne vërejmë si në qarqet e tjera është presioni i qartë politik, presioni mbi delegatët, sepse këtu do diskutoheshin çështje të thjeshta, çështje që kishin të bënin me mbarëvajtjen e futbollit. Në rend dite nuk kishte as problematika për zgjedhjet ose jo, është thjesht miratimi i buxhetit, disa ndryshime në statut si dhe diskutimet që do të bënin anëtarët e Shoqatës për të shtruar problematikat që ka futbolli në qarkun e Gjirokastrës, që për hir të së vërtetës ajo që vërejmë ne është që kemi një numër shumë të pakët fëmijësh që luajnë sot futboll në këtë qark.

Nuk i ndjek procedurat Federata e Futbollit. Është Shoqata Rajonale që i organizon procedurat për mbledhjen e Asamblesë. Federata është në cilësinë e vëzhguesit. Ashtu siç në Federatën Shqiptare të Futbollit bëhet një Asamble dhe kemi vëzhgues nga FIFA dhe nga UEFA dhe duke qenë se Shoqata rajonale është anëtare e Federatës, patjetër që ne do jemi në cilësinë e vëzhguesit për të parë ecurinë.

Me sa di unë janë lajmëruar anëtarët brenda afateve që parashikon Statuti i zonës dhe kanë ardhur propozimet nga klube të ndryshme të cilët kanë caktuar delegatët që do të jenë në këtë Asamble. Se si kanë vepruar klubet nuk mund ta them unë, pasi nuk jam jurist, por nga verifikimet, që kam bërë, kanë qenë konform statutit.

Sa herë që bëhen zgjedhje, këto gjëra kanë ndodhur. Kanë ndodhur në 2006, jeni dëshmitar, kanë ndodhur në 2018 e po vazhdojnë dhe ajo që është sfida jonë është që politika të mos ketë lidhje më sportin. Pse nuk u paraqitën delegatët në mbledhjen e Asamblesë? Përderisa delegatët nuk vijnë, ju mund ta kuptoni vetë arsyen”.

Ashtu siç e konfirmoi edhe anëtari i KE-së së FSHF-së, Arben Dervishaj, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, Sadik Sadikaj theksoi se “janë respektuar të gjitha afatet e parashikuara në statut dhe nesër besoj se do të kemi një Asamble normale”.

[quiz-cat id=”297386″]

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...