Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

Asist i Ivan Balliut, Rayo i merr pikë Sevillas në “Vallecas”

Sevilja nuk është më në gjendje të fitojë jashtë stadiumit “Ramon Sanchez Pizjuan”. Skuadra andaluziane u ndal në një tjetër barazim jashtë fushe, këtë herë 1-1 në kryeqytetin e vendit me ekipin e Rayo Vallecano-s.

Natyrisht që ndjeshëm në gjithë këtë ecuri jo të mirë të skuadrës së drejtuar nga trajneri Julen Lopetegui kanë ndikuar mungesat e shumta që ka ekipi për arsye të shumta, por gjithashtu edhe për shkak të ngjeshjes së dukshme të kalendarit.

Vendasit e nisën plot vrull duelin, duke dominuar gjatë fraksionit hapës të takimit. Për t’u veçuar ndoshta episodi i 11′, kur shtatlarti Rafa Mir ia doli për të gjetur rrjetën, me një gjuajtje të lehtë brenda zonës, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, ku gjithsesi portieri Stole Dimitrievski duhet të kishte bërë më shumë. Për fatin e mirë të ekipit madrilen ndërhyri Gil Manzano nga Sistemi VAR, që sinjalizoi kryesorin Juan Martinez Munuera për një prekje të topit me dorë.

Kaluan vetëm pak minuta dhe bardhekuqtë iu afruan ndjeshëm golit të epërsisë, por goditja me kokë e Sergi Guardiola-s u ndal në traversë. Dy skuadrat shkuan në interval pra me një barazim me rrjeta të paprekura, sidoqoftë fraksioni i dytë i lojës filloi menjëherë me gol. Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Ivan Balliu, pasoi me portugezin Bebe, që përfitoi në maksimum edhe nga hapësira që i lejoi suedezi Ludwig Augustinsson, për të mposhtur nga një pozicion i prirët dhe pothuajse i pamundur portierin maroken, që gaboi rëndë duke lënë të zbuluar pikërisht shtyllën e tij, 1-0.

Trajneri Julen Lopetegui reagoi pa humbur kohë, duke hedhur në fushë tre futbollistë si Martial, Acuna dhe Jesus Corona. Pikërisht pas një krosimi shumë të mirë të futbollistit meksikan nga krahu i majtë, mesfushori danez Thomas Delaney devijoi topin për në rrjetë, duke befasuar vendasit pak minuta pasi ishte mbushur një orë lojë. Në 79′ kryesori Juan Martinez Munuera bëri me shenjë për nga pika e bardhë e 11-metrave, duke konsideruar si të parregullt ndërhyrjen e qendërmbrojtësit Alejandro Catena në dëm të shtatlartit Rafa Mir, megjithatë pasi u thirr nga Gil Manzano për të rivlerësuar pamjet e përsëritura në monitor, 39-vjecari valencian ndryshoi mendim.

Në fund u akorduan edhe 6′ shtesë dhe miqtë patën dy mundësi për të fituar ndeshjen, por portieri nga Maqedonia e Veriut Stole Dimitrievski reagoi shkëlqyeshëm ndaj gjuajtjes së mrekullueshme të francezit Anthony Martial.

Në këtë mënyrë, Sevilja mbetet pa fitore në shtatë sfidat e fundit jashtë fushe në të gjithë kompeticionet. Suksesi i fundit i skuadrës andaluziane larg stadiumit “Ramon Sanchez Pizjuan” është regjistruar në takimin e parë të vitit 2022 me Cadiz-in me shifrat 1-0, gjithsesi barazimi 1-1 iu shërben miqve për t’u shkëpur në pesë pikë nga Atletiko e Diego Simeones, sepse për sa i përket çështjes e titullit tani gjithçka duket e mbyllur përfundimisht në favor të Realit të Madridit.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...