Philippe Coutinho u fotografua me fanellën e Aston Villas për herë të parë që kur u konfirmua huazimi i tij nga Barcelona, javën e kaluar, me klubin anglez që ka si opsion blerjen e tij në fund të sezonit për 33 milionë euro. 29-vjeçari do të mbajë veshur fanellën me numër 23. Gjatë periudhës së huazimit, Barcelona do t’i paguajë gjysmën e pagës.
Trajneri i Aston Villas, Steven Gerrard, dhe Coutinho kanë luajtur së bashku te Liverpooli nga viti 2013 deri në vitin 2015.
Marrëveshja e huazimit të Coutinhos u konfirmua më 7 janar, por për arsye të lejes së punës ai mungoi në humbjen e Villas në FA Cup në raundin e tretë përballë Manchester United.
“Është kënaqësi të jem këtu, në këtë klub të madh. Kam biseduar me Steven Gerrard, më tregoi për ambiciet që janë këtu dhe unë mezi pres të zbres në fushë. E njoh Steven për një kohë të gjatë kohë, kam luajtur me të dhe kam mësuar shumë prej tij. Kam admirim të madh për të”, – deklaroi Coutinho gjatë prezantimit.
