Mediat spanjolle nuk mund të qëndrojnë indiferente përballë krizës që po kalon një prej skuadrave më dominante në kampionatin spanjoll, gjatë viteve të fundit, me Atléticon e Madridit që po përballet me momentin më kritik të viteve të fundit, si në kampionat ashtu edhe në Champions League. Në një analizë ato parashtrojnë motivet që duket se po përmbysin skuadrën e Simeones. Mungesa e golit, e rezultateve dhe mos shpërfaqja e cilësive maksimale të yjeve madrilenë si Griezmann, Gameiro, Gaitán, Torres, Carrasco apo Vietto, janë përkthyer në në periudhë thatësire për Atleticon.
I vetmi që nuk e ka humbur ende grintën në fushë mbetet Correa. Griezmann në veçanti nuk po tregon nivelin që pretendohet prej tij. Në 12 takime ka shënuar vetëm tre gola, dy në La Liga dhe një në Champions dhe tre asiste. Shifra tërësisht të pamjaftueshme për të justifikuar statusin e tij. Nga ana tjetër vlen për t’u përmendur edhe mosha mesatare e organikës së “Los Colochoneros”, si faktor i rëndësishëm që ndikon në situatën kritike. Kështu një pjesë e mirë e strukturës, madje edhe lojtarë kyç si Filipe, Godín, Gabi apo Juanfran i kanë lënë më kohë të 30-at.
Njëherazi sanksionet e gjykatës së arbitrazhit sportiv, të cilat janë aplikuar tek Atletico, duke i mohuar mundësinë për të përforcuar organikën gjatë merkatos verore, kanë pasur ndikimin e tyre negativ. Simeones iu desh të konfirmonte aftësitë e tij drejtuese me minimumin e lojtarëve, e po kështu do t’i duhet të vijojë deri vitin e ardhshëm, kur mund të jetë sërish aktiv në merkato. Diego Costa do të jetë përforcimi i parë i rëndësishëm. Përgjatë viteve të fundit Atletico karakterizohej nga forca, ishte një skuadër nga ato mjaft të vështira për t’u thyer, kjo falë një mbrojtjeje solide, një mesfushe të definuar si dhe një sulmi që ushtronte presion. Një rival që stepte cilindo ekip që i dilte përballë, por sot panorama është kthyer në invers.
Kjo skuadër ka ndalur së funksionuari. Mesa duket edhe stadiumi i ri nuk ka qenë shumë fatsjellës për skuadrën e “Los Colchoneros”, ndryshe nga Vicente Calderón. Tekniku argjentinas dhe skuadra e tij kanë parë shumë pikë të rëndësishme t’iu shpëtojnë nga duart gjatë takimeve të fundit. Atletico është parë të shndërrohet në këtë sezon, pasi ka pësuar më shumë se 10, 7 prej të cilëve me kokë, gjë që nuk mund të ndodhte kur mbrojta e tyre ishte si një mur i pathyeshëm. Për një ekip që në vitet e fundit ka qenë një dominues i lojës në ajër, të gjitha këto janë argumente se Atletico e Madridit nuk është më e njëjta, dyshimi është deri ku do të mund të shkojnë ata në këtë rrugëtim që çalon.