La Liga

Atletico Madrid, testi i parë serioz për Barcelonën

Pas shtatë fitoresh radhazi, në po kaq takime, Barcelona do të përballet në mbrëmje ndaj Atletico Madridit. Takimi do të luhet në ‘Wanda Metropolitana’, të Madridit, ndërsa ky do të jetë testi i parë i vështirë, për katalanasit në këtë sezon. Skuadra e Simeones, prej disa vitesh po luan në nivele të larta dhe kohët e fundit ka treguar se është e aftë t’i bëjë keq Barcelonës.

Katalanasit do të bazohen te forma e mirë e Lionel Messit, i cili pasi kualifikoi Argjentinën në botëror, do të duhet të ndihmojë Barçën për të vijuar serinë e fitoreve. Nga ana tjetër, skuadra e Atletico ka një favor, terrenin e stadiumit, që nuk është shumë i përshtatshëm për lojën me shumë takime, që aplikon skuadra e Valverdes.

Në shkallët e stadiumit pritet të reflektohen edhe ngjarjet e fundit politike të Spanjës, që lidhen me pavarësinë e Katalonjës, shkak për të cilin pritet që Barcelona të kontestohet shumë nga madrilenët. Takimi mes Atletico Madridit dhe Barcelonës do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet live në Supersport 2.

To Top